E PLOTË/ Dy vrasje për një kafe në Durrës, zbardhet dinamika si ndodhi konflikti që u mori jetën të rinjve, dëshmia e kamerierit: I thashë ekspresi është fikur, më shau!

22/10/2025 11:35

Një ngjarje e rëndë tronditi Durrësin në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ku një sherr për kafen, u mori jetën dy të rinjve.

Ora shënonte 1:30 në një lokal pranë një karburanti, përballë komisariatit të policisë në Manëz, ku dy të rinjtë, Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç ulen në tavolinë dhe i kërkojnë kafe kamerierit.

Kamerieri Alteo Pepa ishte ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç, dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund tu shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur.

Kjo i ka irrituar të rinjtë, dhe sherri mes tyre ka vijuar me ofendime dhe sharje. Sipas dëshmisë së kamerierit, në këto momente ka ndërhyrë Flori, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua.

Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, rreth orës 01:45,  i pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin. Vrasjet të dyja jashtë lokalit, pas nisjes së sherrit brenda në lokal.

Shtatë persona janë shoqëruar për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Daniel Pepa, pasi vrau Flori Paluçin duke marrë hak për shokun e tij, është arratisur. Një nga viktimat, Paluçi, ishte me precedent penal, i arrestuar për tentativë vrasjeje. Edhe Daniel Pepa rezulton i arrestuar më parë për plagosje.

Policia thotë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorit, ndërsa gjithçka është regjistruar në kamerat e sigurisë.

11:00 U vra pas sherrit për një kafe në lokal, del fotoja e të riut Aranit Kurti

Ky është 23-vjeçari Aranit Kurti, i cili mbeti i vrarë në konfliktin për një kafe në një lokal në Manëz të Durrësit.

09:51 “I thashë s’ka kafe në këtë orë”, zbardhet dëshmia e plotë e kamerierit të lokalit ku ndodhi vrasja e dyfishtë: Flori ndërhyri për të më dalë në krah…

“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë. Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri.

09:50 “Më thanë mos u afro”/ Flet punonjësi i karburantit ku u vranë dy të rinjtë: Kam ndenjur…

Punonjësi i karburantit ku ndodhi vrasja e dy të rinjve ka rrëfyer për mediat atë që gjeti në vendin ku punon pas ngjarjes. Ai ka deklaruar se policia nuk e ka lënë të afrohet, teksa tregon që viktimat ishin të sjellshëm. “Unë erdha në mëngjes, gjeta karburantin e rrethuar me shiritin skenë krimi. Më thanë ka ndodhur një ngjarje mos u afro, kam ndenjur atje derisa iku policia. Nuk i njoh ata që janë vrarë. Njëri është nga

09:42 7 persona të shoqëruar në polici për vrasjen e dyfishtë në Manëz

Shtatë persona janë shoqëruar për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur se ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.

08:49 Shirita dhe forca të shumta policore, çfarë mbeti në karburantin ku u vranë dy të rinjtë

Teksa ende nuk kanë kaluar 12 orë që nga vrasja me armë zjarri e dy të rinjve në Manëz, policia ende ndodhet në vendin e ngjarjes. Ajo që ka mbetur pas është heshtja dhe shirita të autoriteteve hetimore. Në karburantin ku ndodhi ngjarja ende ka forca policore, të cilat po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave.

08:47 Mbeti i vrarë pas sherrit për një kafe në Manëz, zbulohet e shkuara e Flori Paluçit, autori njihej si problematik në zonë

Sipas burimeve policore, një nga viktimat, Flori Paluçi ka qenë me probleme jashtë vendit për krime. Ndërsa i kërkuari Pepa njihet si i ri problematik në zonë.

08:24 Qëlloi për vdekje 33-vjeçarin që i vrau shokun, zbulohet emri i autorit të shpallur në kërkim

Daniel Pepa është autori i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë në Manëz të Durrësit. 21-vjeçari qëlloi për vdekje Flori Paluçin 33 vjeç, pasi ky i fundit i vrau shokun, Aranit Kurti 23 vjeç. Viktima Aranit Kurti, u vra nga Flori Paluçi, pak para se ky i fundit të mbetej i vdekur në vendngjarje.

08:10 “Pse i flet kamerierit”/ Sherri për një kafe la dy të vdekur në Manëz, zbardhet dinamika

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se konflikti me dy të vdekur mbrëmë në Durrës, ishte banal. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Manëz rreth orës 01:45, ku njëri prej viktimave ka kërkuar kafe, por nuk i është shërbyer për shkak të ekspresit të fikur. Irritimi i klientit me kamerierin, ka nxitur palën tjetër dhe kaq ka mjaftuar për sherrin që ka degraduar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

07:41 Si nisi konflikti që shënoi dy viktima në Durrës, sherri me kamerierin…

Dyshohet se dy personat që mbetën të vrarë në Durrës, u konfliktuan për shkaqe banale. Sherri mes tyre ka nisur në një lokal në Manëz, raporton gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi. Një konflikt me kamerierin e lokalit nga njëra prej palëve, ka nxitur reagimin e tjetrit. Kaq ka mjaftuar që të nisë konflikti, që degradoi në përdorimin e armës.

07:33 Zbulohen emrat e viktimave në Durrës/ 33-vjeçari vrau të riun, por u qëllua edhe ai për vdekje

Aranit Kurti dhe Flori Paluçi janë dy viktimat e përplasjes me armë të ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në Durrës. Ngjarja ka ndodhur pranë një karburanti, dhe një konflikt i çastit dyshohet se përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe me humbjen e jetës së dy personave.

07:22 Dy të vrarë me armë zjarri në Durrës/ Konflikti pranë një karburanti në Manëz, në kërkim autori

Dy të rinj janë vrarë me armë zjarri pas një konflikti në Manëz. Ngjarja e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit të sotëm Manzën në Durrës. Rreth orës 01:45, pranë një karburanti, një konflikt i çastit dyshohet se përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe me humbjen e jetës së dy personave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta