
Jo vetëm socialistët, por dhe deputetët e rinj demokratë do të trajnohen.
Gazetarja e Top Channel Elda Menga ka mësuar se nesër (e enjte) nisin leksionet dhe për demokratët që ulen për herë të parë në Kuvend.
Partia Demokratike në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), organizon ditën e nesërme në ora 10:00 programin e Trajnimit për deputetët e rinj të Partisë Demokratike.
Mesa duket Sali Berisha nuk do paraqitet para deputetëve si kryetar, por si lektor, ku do mbajë fjalën hapëse. Pas tij, stafetën e merr Thomas Kunze, shef i zyrës së KAS Tiranë dhe kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi.
Top Channel ka mësuar se sesioni i parë nis me komunikimin në Parlament dhe me publikun. Me pas në dorë situatën e marrin deputetët me eksperiencë, si Jorida Tabaku, për Integrimin, Albana Vokshi, për Shëndetësinë dhe Luçiano Boçi do iu flasë për Arsimin.
Një sesion është parashikuar për të ndarë përvojat politike ndër vite ku folës do jenë Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Tomorr Alizoti dhe Belind Këlliçi.
Sesioni mbyllet pasdite me leksionin që Merita Qato, Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ në Kuvendin e Shqipërisë, do ju mbajë deputetëve, me temë: Si funksionon procesi ligjvënës në Kuvend: nga nisma te votimi.
Më poshtë është lista e deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 majit:
Gjin Gjoni
Arjan Ndoja
Manjola Luku
Artan Luku
Kliti Hoti
Zija Ismaili
Eno Bozdo
Denisa Vata
Bledi Himçi
Klodiana Capja
Ivi Kaso
Fidel Kreka
Besart Xhaferri
Top Channel