
Policia spanjolle ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për një seri vjedhjesh të pazakonta, ku më shumë se 1,110 karrige janë marrë nga restorante dhe bare në Madrid, vlera e të cilave shkon në 60 mijë euro.
Sipas New York Post, grupi kriminal përbëhej nga gjashtë burra dhe një grua, të cilët vepronin gjatë natës. Ata shënjestronin kryesisht ambientet e jashtme të lokaleve, ku karriget zakonisht lihen të grumbulluara dhe të lidhura me zinxhirë pas mbylljes së bizneseve.
Sipas autoriteteve, të paktën 18 lokale në Madrid dhe në qytetin Talavera de la Reina, një qytet më i vogël në jugperëndim të kryeqytetit, janë goditur nga kjo bandë gjatë muajve gusht dhe shtator.
Vlera e përgjithshme e karrigeve të vjedhura llogaritet të jetë rreth 60,000 euro.
Hetimet nisën pas një sërë ankesash nga pronarë lokalesh, të cilët raportuan mungesën e karrigeve në mëngjes, pasi i kishin lënë të sigurta jashtë dyqaneve gjatë natës.
Të dyshuarit akuzohen për vjedhje dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Sipas policisë, ata dyshohet se kanë shitur karriget e vjedhura jo vetëm brenda Spanjës, por edhe në Marok dhe Rumani, duke përfituar përmes një rrjeti të strukturuar të rishitjes.
Top Channel