Ish-ylli i WWE, i njohur me emrin artistik Sir Mo, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga miq dhe kolegë të tij në rrjetet sociale.

Emri i vërtetë i tij ishte Robert Horne, dhe ai është i njohur për periudhën e tij aktive në WWE nga viti 1993 deri më 1996, ku u bë i njohur si pjesë e ekipit të famshëm Men on a Mission, në krah të Mable (i njohur më vonë si Viscera). Dyshja arriti të fitonte një kampionat tag team, i vetmi titull i Horne në WWE.

Horne kishte kaluar 8 javë në spital, duke luftuar me një infeksion të rëndë në gjak dhe pneumoni, ndërkohë që ishte vendosur në kujdes intensiv (ICU). Gjatë gjithë kësaj periudhe, bashkëshortja e tij, Denise, qëndroi pranë tij, duke ndarë herë pas here përditësime me fansat dhe miqtë e afërt.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Horne u bë publik nga Leilani Kai, një tjetër emër i njohur në botën e mundjes profesioniste.

“Bobby ishte gjithmonë i buzëqeshur, i dashur dhe me një fjalë të mirë për të gjithë. Ai të bënte të ndiheshe mirë edhe në ditët më të vështira në turne. Ai ishte një mik i vërtetë, brenda dhe jashtë ringut,” – shkroi Kai në një postim prekës në Facebook.

Ajo shtoi se Horne nuk ishte vetëm një mundës i mirë, por një njeri me zemër të madhe, i cili e dashuronte sportin, fansat dhe njerëzit që e rrethonin.

Humbja e Robert “Sir Mo” Horne lë një boshllëk në komunitetin e mundjes dhe në zemrat e shumë fansave që u rritën me emocionet e epokës së tij në WWE.

Ai do të kujtohet jo vetëm për atë që dha në ring, por edhe për njeriun e mirë që ishte jashtë tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta