
Mbledhja e fondeve për nevojat e Muzeut Britanik ishte qëllimi ekskluziv i festës që u zhvillua të shtunën në mbrëmje në mjediset e tij, përfshirë Galerinë Duveen, ku ekspozohen Skulpturat e Partenonit — gjë që, siç pritej, shkaktoi reagime të forta në Greqi.
Në një përpjekje për të rritur të ardhurat, të cilat kanë qenë në rënie vitet e fundit, drejtuesit e muzeut organizuan një ngjarje të quajtur “Rozë Ball”, të frymëzuar nga MET Gala amerikane. Ngjarja synonte të tërhiqte elitën e botës së artit dhe biznesit, kundrejt një tarife të majme, për të siguruar fonde për funksionimin e institucionit dhe mbulimin e detyrimeve financiare.
Për “Rozë Ball”-in e parë u vunë në dispozicion 800 ftesa, secila me çmimin 2,000 paund, të cilat u shitën plotësisht. Një nga kushtet e pjesëmarrjes ishte veshja zyrtare në nuanca rozë, në nder të ekspozitës së re të muzeut mbi Indinë e lashtë, e sponsorizuar nga biznesmenja dhe artdashësja indiane Isha Ambani, bashkëorganizatore e mbrëmjes. Për këtë arsye, nata mori një ngjyrim të fortë indian, që nga veshjet, ushqimi e pijet, deri te muzika dhe vallëzimi.
Në sallën e mbushur me tavolina përballë Skulpturave të Partenonit, të ftuarit e famshëm shijuan shampanjën që rridhte me bollëk, aromat e kuzhinës indiane dhe tingujt e një bande bronzi që luante mes ekspozitave të çmuara.
Ndër të pranishmit ishin Sir Mick Jagger me partneren Melanie Hamrick, Naomi Campbell, Janet Jackson, Kristin Scott Thomas, Manolo Blahnik, si dhe përfaqësues të aristokracisë britanike si Zonja Kitty Spencer, Amelia dhe Eliza Spencer, mbesat e Princeshës Diana.
Mes të ftuarve u pa edhe Daphne Guinness, yll i modës pop dhe trashëgimtare e familjes Guinness, ish-bashkëshorte e Spyros Niarchos, si dhe Eugenia Niarchou, krijuese bizhuterish dhe ikonë mode.
Përveç biletave të shtrenjta, fonde shtesë u mblodhën përmes një ankandi bamirësie, ku u shitën vepra dhe dhurata të veçanta, përfshirë portreti i një kafshe shtëpiake të pikturuar nga kuratorja e muzeut Dame Tracey Emin, dhe një tur ekskluziv i apartamentit të Coco Chanel.
Ndërkohë që Muzeu i Akropolit në Athinë është gati të mirëpresë Skulpturat e Partenonit dhe t’i ribashkojë me koleksionin origjinal përballë Akropolit, drejtori i Muzeut Britanik Nicholas Cullinan po zgjedh një rrugë tjetër, bashkëpunimin me biznesmenë dhe figura të njohura për të siguruar të ardhurat e nevojshme për funksionimin e institucionit.
Siç ka deklaruar vetë ai: “Nevojat financiare të muzeut kërkojnë që të jesh fleksibël në të menduar dhe mjaft sipërmarrës.”
Top Channel