
Milani po kalon një moment të artë. Pas një periudhe me luhatje dhe probleme të shumta, kuqezinjtë kanë rikthyer qetësinë dhe forcën në “San Siro”, duke përmbysur Fiorentinën me një fitore emocionuese që i ngjit sërish në krye të Serie A.
Në qendër të këtij suksesi është Rafael Leao, lideri teknik i Milanit dhe lojtari më i mirë i ndeshjes, i cili shënoi dy gola vendimtarë duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit. Për portugezin, ishte një rikthim i madh: ai nuk kishte shënuar në Serie A për 512 ditë, që nga barazimi 3-3 me Salernitanën më 25 maj 2024, ndeshja e fundit e Stefano Piolit në stolin e Milanit.
Leao fillimisht barazoi rezultatin me një gjuajtje të fuqishme nga distanca, vetëm tetë minuta pasi Fiorentina kishte kaluar në avantazh. Por ylli portugez nuk u ndal me kaq. Ai mori përsipër penalltinë që i dha fitoren Milanit – dhe për herë të parë në karrierën e tij, shënoi nga pika e bardhë.
Në moshën 26-vjeçare, kjo ishte penalltia e parë e realizuar në karrierën e tij, një moment i veçantë për lojtarin që ka shënuar tashmë 72 gola me fanellën e Milanit. Për herë të fundit, Leao kishte provuar të gjuante një penallti në mars 2023 me kombëtaren e Portugalisë, por kishte dështuar. Kësaj radhe, ai tregoi qetësi dhe saktësi, duke i dhënë Milanit një fitore me shumë peshë.
“Ia dedikoj këtë mbrëmje familjes dhe shokëve të ekipit, që më kanë mbështetur gjithmonë. Fitoren e arritëm si një ekip i vërtetë. Dua të vazhdoj kështu, personalisht dhe si grup”, u shpreh Leao pas ndeshjes.
Në krah të tij, edhe Luka Modric, i cili mori duartrokitje të gjata nga tifozët për paraqitjen e tij, foli me superlativa: “Rafa është fantastik. Kam pritur të luaj me të. Ai është një nga më të mirët në botë dhe mund të rritet edhe më shumë. Këto gola do t’i japin besimin që i duhet.”
Në fund, Leao përqafoi shokët e ekipit dhe u drejtua te tifozët, duke festuar me buzëqeshje të madhe dhe me gjithë “Sud”-in që shpërtheu në brohoritje për heroin e mbrëmjes.
Kjo fitore e kthen Milanin në majën e Serie A, me një frymë të re në ekip dhe me Rafa Leao që po konfirmon sërish statusin e liderit teknik dhe emocional të skuadrës.
Në “San Siro” është rikthyer entuziazmi, ndërsa kuqezinjtë duken të gatshëm për të luftuar deri në fund për titullin kampion.
Top Channel