“Një fund i vonuar për një skandal që tronditi monarkinë britanike”/ Princi William do ta ndalojë Andrew-n të marrë pjesë në kurorëzimin e tij dhe në jetën mbretërore

19/10/2025 08:41

Princi William do ta ndalojë Princin Andre të marrë pjesë në kurorëzimin e tij, si dhe në jetën mbretërore të Britanisë së Madhe.

Ishte një vendim i vonuar për shumëkënd, por kur më në fund ra sipari përfundimtar për Princin Andrew në orën 19:00 të së premtes, disa në qarqet mbretërore psherëtinë të lehtësuar. Një epokë e mbuluar me polemika dhe akuza tashmë po mbyllet me një distancim të qartë nga familja mbretërore britanike, shkruan The Times.

Pallati Buckingham, i cili prej vitesh është kujdesur të nënvizojë se nuk përfaqëson Princin Andrew, lëshoi një deklaratë të ngjashme me stilin e tij karakteristik: mungesë pendese, mohime dhe një ton sfidues. Në deklaratë thuhej se ai nuk do të përdorë më titullin “Duka i York-ut” dhe as “nderimet” e tjera që i janë dhënë ndër vite. Për shumëkënd, ishte befasuese që ai ende kishte ndonjë nderim të mbetur, pas gjithçkaje që kishte ndodhur.

Sipas deklaratës, vendimi ishte marrë “në konsultim me Mbretin” dhe “me pëlqimin e Tij Madhërisë”, duke theksuar se “akuzat e vazhdueshme ndaj meje po largojnë vëmendjen nga puna e Mbretit dhe e familjes mbretërore”. Por realiteti është se Andrew nuk kishte më zgjidhje tjetër. Presioni nga Mbreti Charles dhe djali i tij, Princi i Uellsit, ishte bërë i padurueshëm.

Ashtu siç pretendoi në intervistën famëkeqe për BBC Newsnight në vitin 2019 se kishte qenë “shumë i nderuar” për ta përfunduar shoqërinë me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein me një telefonatë, edhe kësaj here përpiqet të shfaqet si njeri me integritet. “Kam vendosur, si gjithmonë, ta vendos detyrën ndaj familjes dhe vendit para vetes,” shkruhej në deklaratë. Por për shumëkënd, ndjenja e nderit është zhdukur te Andreë që nga koha e shërbimit në Luftën e Falklandeve në vitin 1982.

Shumë e shohin këtë si një përpjekje vendimtare të Mbretit për t’i dhënë fund skandalit që ka tronditur imazhin e monarkisë britanike për vite me radhë. Përkundër shpresave se skandali do të zbehej me kalimin e kohës, ai nuk u zhduk kurrë. Në vitin 2022, Andreë arriti një marrëveshje milionëshe me Virginia Giuffre, gruan që e akuzonte se kishte abuzuar me të seksualisht kur ishte vetëm 17 vjeç. Ai nuk pranoi fajësinë, por marrëveshja nxiti Mbretëreshën Elizabeth II që ta hiqte nga të gjitha funksionet mbretërore, duke i hequr titujt ushtarakë dhe patronazhet.

Megjithatë, ai ende zotëron një listë të gjatë titujsh ceremonialë, teknikisht mbetet Duka i York-ut, Princ i Mbretërisë së Bashkuar, Kalorës i Urdhrit të Garter-it, Kont i Inverness-it dhe Baron i Killyleagh. Këta tituj janë “në pezullim” dhe jo zyrtarisht të hequr, pasi një akt i posaçëm parlamentar është i nevojshëm për t’i fshirë plotësisht.

Andrew do të vazhdojë të jetojë në Royal Lodge, vila luksoze në pronësinë e kurorës pranë Windsor-it, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, Sarah Ferguson. Ai ka një marrëveshje private qiraje deri në vitin 2078, ndaj Mbreti nuk ka juridikisht mundësi ta nxjerrë nga rezidenca, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare për ta larguar.

Burime të afërta me Kensington Palace kanë bërë të ditur se Princi William ka qenë i përfshirë në diskutimet për të ardhmen e xhaxhait të tij dhe është vendosur që, kur të bëhet mbret, Andrew do të jetë plotësisht i përjashtuar nga çdo aspekt i jetës publike dhe private mbretërore, përfshirë kurorëzimin, ngjarjet shtetërore dhe festat familjare zyrtare.

William e sheh Princin Andreë si një “rrezik reputacional për monarkinë”, veçanërisht në lidhje me mesazhin që prania e tij dërgon për viktimat e abuzimeve seksuale. Ai po ashtu nuk ka ndërmend të përfshijë Sarah Ferguson në asnjë ngjarje të ardhshme zyrtare, duke përmendur lidhjen e saj me Epstein dhe deklaratat kontradiktore të saj – fillimisht duke e dënuar publikisht, më pas duke i kërkuar ndjesë privatisht për komentet e saj.

Megjithatë, William do të ruajë marrëdhëniet me kushërirat e tij, princeshat Beatrice dhe Eugenie, të cilat do të vazhdojnë të përfshihen në ngjarje familjare dhe mbretërore.

Për miqtë e familjes mbretërore, vendimi i fundit për Princin Andrew është një përpjekje për të mbrojtur institucionin nga dëmet e mëtejshme. Por rreziku mbetet. Dokumentet e ardhshme që pritet të dalin nga hetimet në SHBA për çështjen “Epstein” dhe kujtimet që Giuffre la pas, do të vazhdojnë ta përmbytin monarkinë me skandale.

Mbreti Charles, 76 vjeç, i cili aktualisht po trajtohet për kancer dhe përballet me sfida të shumta familjare, ka shpresuar që ky vendim do të mbyllë një kapitull të dhimbshëm për institucionin. Por siç thonë shumë në pallat: “Nuk do të mbarojë këtu.” Një email i publikuar kohët e fundit ku Andrew i shkruan Epstein-it në vitin 2011 se do të “luajnë sërish së shpejti”, vetëm një ditë pas publikimit të fotos famëkeqe me Giuffre, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sinqeritetin e Andreë dhe mbi rolin që ka luajtur familja mbretërore në fshehjen apo mbrojtjen e tij.

Në një intervistë të fundit me aktorin dhe komedianin kanadez Eugene Levy, Princi William u shpreh se dëshiron që institucioni që do të trashëgojë të jetë “i përshtatshëm për kohën”, duke shtuar: “Ndryshimi është në axhendën time. Ndryshim për të mirë. Nuk e kam frikë.”

Për shumëkënd në pallat, ky është një sinjal i qartë se William do të jetë një mbret më i vendosur, më praktik dhe më i gatshëm për të marrë vendime të vështira për të ruajtur integritetin e monarkisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta