“Ndëshkimi i dytë i Evës”/ Artan Fuga boton romanin e tij të ri, akademiku: Tani unë pushoj, hesht! Fjala është te ju

19/10/2025 16:31

“Ndëshkimi i dytë i Evës”, është romani më i ri i shkruar nga akademiku dhe profesori i njohur Artan Fuga.

“Tani unë pushoj, hesht! Fjala është te ju”, shkruan Fuga, teksa fton të gjithë lexuesit që të bëhen pjesë e “botës së Adrian Nuri”, personazhit të këtij romani.

Ai zbulon edhe disa nga detajet e këtij romani, që duket se do t’i rrëmbejë lexuesit nëpër faqet e tij.

“Adrian Nuri, intelektual në Qytet, po heton mbi mitin e krijimit të njeriut sipas Dhiatës së Vjetër. Ka të drejtë të mendojë se aty gjenden sekrete të vjetra për fatin e njeriut, të fshehtat kanë mbetur të ndryra në mit.

Ndoshta është rrëfenja më e lashtë njerëzore, me natyrë, kozmike, e kaluar nga i foluri në të shkruar. Tragjedia më monumentale e shkruar ndonjëherë, kur njeriu për shkak të dëshirës për të njohur, për shkak të dashurisë, dënohet me vdekje! E vërteta sjell vdekjen? Dashuria sjell vdekjen?

Kështu të ketë qenë vallë?

Jo vetëm Eva dhe Adami dënohen me vdekje, por të gjithë të lindurit prej tyre, ne, domethënë. Para kësaj tragjedie, ato të Teatrit të Lashtësisë helene nuk do jenë veçse gudulisje! Sapo lind njeriu dënohet me vdekje, pa apelim, pa avokat, për një faj që nuk dihet nëse e ka bërë vërtet, nëse mund të quhet faj! Po a ndëshkohet vërtet?

Gjatë hetimeve që ndërmerr, Adriani konstaton gradualisht se gjithçka që zbulon nga miti i stërlashtë i ndodh atij vetë në jetën e përditshme, në punë, në familje, në marrëdhëniet me miqtë, mikeshat, kolegët, me njerëzit e pushtetit, me gjithçka që e përfshin në Qytet. Sikur një dorë e fshehtë e mban zhytur në universin e mitit që ai po heton, e përndjek, e vëzhgon, e torturon, e dhunon.

Ndërkaq Qyteti vetë ka hyrë në amulli, familja është në krizë, burri dhe gruaja ftohen me njeri tjetrin, dashuria ka humbur kuptimin, njeriu nuk njeh më njeriun, as ky veten e tij, dridhet toka nga shkaqe që nuk zbulohen dot, qytetërimi mijëravjeçar ndodhet në greminën e shkatërrimit, nuk dihet nëse njeriu me të cilin po flasim është si ne apo hologramë, askush nuk di më fatin e tij, prona shkrihet si dëbora nga breshëri, makina institucionale kontrollojnë gjithçka, njerëzit kanë nevojë të ndëshkojnë vetveten.

Apokalips!

Adrian Nuri është i bindur se sikurse në mitin e lashtë diku duhet të jetë bërë një mëkat nga njerëzit e Qytetit, sepse çdo qytetërim lind nga një mëkat i madh themelues. Qytetërimi i Zjarrit erdhi nga vjedhja e Prometheut, shoqëria e familjes monogame lindi nga mëkati i Edipit, demokracia evropiane vuri themele mbi mëkatin e vrasjes së Zotit.

Cili është mëkati që kanë bërë njerëzit e Qytetit?

Duhet gjetur mëkati? Faji i vërtetë! Jo alibia e fajit! Duhet vendosur gishti në plagë! Duhet ç’fashuar plaga, dhe nxjerrë lëngu i infektuar!

Kush po më përndjek – pyet veten Adrian Nuri?

Cila dorë na ka burgosur brenda mitit? Atë dhe të tjerët!

Përse gjithçka që zbulon nga hetimet e tij i bie në kokë si ndëshkim i pandalshëm?

Zbulimi i tij është tronditës!”, është ky postimi që Fuga ka ndarë në rrjetet e tij sociale.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta