“Kremlini feston, amerikanët ngrenë vetullat”/ Sekretari i Mbrojtjes vendos kravatën me ngjyrat e flamurit rus gjatë takimit me Zelenskyn

19/10/2025 09:02

Një zgjedhje e pazakontë mode nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ka ndezur debat ndërkombëtar pasi një zyrtar i lartë i Kremlinit e përshëndeti atë si një “mesazh mbështetjeje për Rusinë”.

Kirill Dmitriev, shef ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe i dërguar special i Presidentit Vladimir Putin për bashkëpunim ekonomik, reagoi në rrjetin social X (ish-Twitter) duke postuar një foto të Hegseth me kravatë me shirita kuqe, blu dhe të bardhë – të njëjtat ngjyra me flamurin e Rusisë – duke shtuar një emoji të flamurit rus.

Dmitriev shkoi edhe më tej, duke komentuar postimin me shprehjen “WWG1WGA”, akronim i njohur nga lëvizja konspirative amerikane QAnon, që nënkupton “Where We Go One, We Go All”. Lëvizja është e lidhur ngushtë me krahun e djathtë të mbështetësve të Donald Trump dhe ka një histori të gjatë akuzash për teori të pabazuara mbi “deep state” dhe ndikimin rus në SHBA.

Zyrtari rus gjithashtu ironizoi një koment të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, i cili kishte mohuar çdo aluzion pro-rus duke thënë: “Ndoshta po mbante ngjyrat e Amerikës.”

Në përgjigje, Dmitriev shkroi sërish: “Ndoshta është mirë që kemi të njëjtat ngjyra.”

Reagimet në rrjet shpërthyen menjëherë pas postimit të Dmitriev, me shumë përdorues që akuzuan zyrtarin rus për përqeshje të Shtëpisë së Bardhë dhe përpjekje për të krijuar përçarje në radhët e administratës amerikane. Të tjerë kritikuan Hegseth për neglizhencë në përzgjedhjen e pamjes në një takim me peshë të tillë diplomatike.

Sipas burimeve të brendshme në Pentagon, të cituara nga Daily Mail, Hegseth thuhet se po kalon një periudhë të vështirë në detyrë, duke shfaqur shenja stresi dhe lodhjeje ekstreme. Një burim e përshkroi gjendjen e tij si “duke u përpjekur të dalë nga lëkura”.

Kriza e “kravatës ruse” vjen në një javë të tensionuar për administratën amerikane, pas akuzave se Presidenti Donald Trump refuzoi të dërgonte raketat Tomahawk në Ukrainë, pas një telefonate të gjatë me Vladimir Putinin.

Fillimisht, Trump ishte shprehur pozitiv për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, por ndryshoi qëndrim pas bisedës me Putinin, duke deklaruar: “Kemi edhe ne nevojë për Tomahawk-ët tanë. Nuk mund të shterojmë vendin tonë.”

Burime ruse raportojnë se Putin i kishte thënë Trump se dërgimi i raketave nuk do të ndryshonte situatën në terren, por do të dëmtonte seriozisht marrëdhëniet SHBA–Rusi.

Në një reagim të mëvonshëm në Telegram, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ironizoi deklaratat e Trump, duke thënë: “Është thënë qindra herë, në mënyrë të kuptueshme edhe për xhaxhain me yje dhe shirita, se është e pamundur të dallohet një Tomahawk bërthamor nga një konvencional në fluturim.”

Ai shtoi më tej: “Si duhet të përgjigjet Rusia? Pikërisht!”, duke lënë të kuptohet për një përgjigje të mundshme bërthamore.

Në një deklaratë të bërë nga Shtëpia e Bardhë, Trump e quajti Medvedev një “ish-president të dështuar të Rusisë” dhe e paralajmëroi të “kujdeset me fjalët”.

Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar një takim të afërt me Putinin në Budapest, ku do të diskutohet një plan për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai tha se do të zhvillojë takime të ndara me Putinin dhe Zelenskyn, duke nënvizuar se dy liderët nuk mund të përballen “ballë për ballë” për shkak të urrejtjes së thellë mes tyre.

“Unë do të takohem me Presidentin Putin… dhe nesër me Presidentin Zelensky,” tha Trump. “Ata nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Kjo është një marrëdhënie e tmerrshme.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta