
Interi mund të heqë njëherë e mirë nga agjenda emrin e Joao Mario.
Me afatet e apelimit të skaduara dhe me një vendim të pakthyeshëm ligjor, saga që zgjati disa vite mes zikaltërve dhe Sporting Lisbon është zyrtarisht e mbyllur.
Portugezi u transferua te Interi në vitin 2016 për 45 milionë euro, por pas një periudhe të vështirë në Serie A, ai i dha fund kontratës me klubin italian dhe u bashkua me Benficën në vitin 2021 si lojtar i lirë.
Ky veprim nuk u prit mirë nga ish-klubi i tij, Sportingu, që nisi një betejë ligjore duke kërkuar 30 milionë euro nga Interi, për shkak të shkeljes së një klauzole të supozuar “anti-rivale”, e cila sipas tyre ndalonte kalimin e lojtarit te një rival direkt në kampionatin portugez.
Megjithatë, kërkesa e Sportingut u refuzua fillimisht nga FIFA dhe më pas edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Me vendimin e fundit, tashmë zyrtar, çështja konsiderohet e mbyllur dhe nuk ka më asnjë mundësi apelimi.
Lajmi është bërë pjesë e dokumentacionit financiar të Interit për sezonin 2024-25, duke konfirmuar zyrtarisht mbylljen e çdo pasigurie ligjore në këtë drejtim.
Top Channel