“Dhimbje koke” për Tudor, Zhegrova pritet të mungojë në supersfidën me Realin në Champions

19/10/2025 10:55

Edon Zhegrova nuk është përfshirë në skuadrën e Juventusit për ndeshjen ndaj Comos, dhe pranisë së tij në sfidën ndaj Real Madridit, të mërkurën në mbrëmje në Ligën e Kampionëve, i qëndron një pikëpyetje serioze.

Anësori kosovar, i cili ka regjistruar vetëm 36 minuta lojë me bardhezinjtë deri tani këtë sezon, po vuan nga një dëmtim i përsëritur në zonën e ijës dhe kofshës, që e ka ndjekur që nga periudha e tij te Lille.

Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, konfirmoi mungesën e Zhegrovës për sfidën e kampionatit: “Zhegrova ka një tendosje muskulore dhe nuk do të luajë kundër Comos.”

Ky dëmtim ka të bëjë me pubalgjinë, një problem kronik që kishte ndalur hovin e Zhegrovës në pjesën e dytë të sezonit të kaluar në Francë. Pavarësisht transferimit të shumëpritur te Juventusi si një mundësi për rilindje, sulmuesi i Kosovës ka bërë vetëm tri paraqitje, pa mundur të lërë gjurmë.

Shqetësimet u rikonfirmuan edhe gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e Kosovës, ku luajti gjithsej 30 minuta në dy ndeshje. Trajneri Franco Foda e shpjegoi me kujdes situatën: “Duhet ta menaxhojmë me kujdes. Zhegrova ka nevojë për trajtim të veçantë.”

Pas kthimit në Torino, stafi mjekësor i Juves ka vendosur ta mbajë lojtarin jashtë derisa të ketë një përmirësim të qartë. Klubi është i vetëdijshëm për rrezikun e dëmtimeve të rikthyera, si në rastet e mëparshme me Bremer dhe Cabal, ndaj po aplikon një program specifik rikuperimi për Zhegrovën.

Kjo është pyetja që ngre çdo tifoz i Juventusit. Përgjigja do të vijë në ditët në vijim, në varësi të reagimit të trupit të lojtarit ndaj trajtimit dhe ritmit të rikuperimit.

Për momentin, prania e Zhegrovës ndaj Real Madridit mbetet shumë e pasigurt. Megjithatë, Juventusi nuk dëshiron të rrezikojë një rikthim të nxituar, ndërsa ende shpreson te potenciali i madh i 25-vjeçarit për të ndihmuar skuadrën në një sezon të vështirë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta