
Shtetet e Bashkuara po lirojnë dy të mbijetuarit e një sulmi ushtarak ndaj një nëndetëseje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, për t’i dërguar në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi, bëri të ditur të shtunën presidenti Donald Trump.
Trump deklaroi se ishte një nder i madh që shkatërroi një nëndetëse që, sipas tij, transportonte drogë me katër narkoterroristë të njohur në bord, nga të cilët dy u vranë gjatë operacionit.
“Të paktën 25,000 amerikanë do të vdisnin nëse do ta lejoja këtë nëndetëse të dilte në breg. Dy terroristët e mbijetuar po kthehen në Ekuador dhe Kolumbi për ndalim dhe ndjekje penale. Nën mbikëqyrjen time, SHBA nuk do të tolerojë narkoterroristët që trafikojnë drogë, nga toka apo nga deti”, shkroi Trump në Truth Social.
Sipas CNN, ushtria amerikane arrestoi të mbijetuarit pas sulmit të së enjtes, ngjarje që shënon herën e parë që fushata e administratës Trump kundër trafikantëve të drogës çon në mbajtjen e të burgosurve nga SHBA.
Operacioni ishte sulmi i gjashtë i njohur ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe që nga shtatori, në kuadër të një fushate të gjerë ushtarake për të ndaluar rrjedhën e drogës drejt SHBA-së dhe për të ushtruar presion ndaj regjimit të Nicolás Maduros në Venezuelë.
Megjithatë, situata ka ngritur dilema ligjore dhe politike, pasi nuk është e qartë nën çfarë autoriteti ligjor ushtria amerikane mund të mbajë ose të gjykojë të arrestuarit. Ish-avokati i Departamentit të Shtetit, Brian Finucane, tha për CNN se kjo është arsyeja pse administrata po shqyrton lirimin e tyre.
Administrata Trump thuhet se ka hartuar një opinion ligjor të klasifikuar që justifikon përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër trafikantëve të drogës, duke i trajtuar si narko-terroristë. Megjithatë, kjo teori është kundërshtuar nga ligjvënës të të dy partive, të cilët argumentojnë se Kongresi nuk ka autorizuar asnjë konflikt të armatosur kundër trafikantëve të drogës dhe se historikisht këta persona janë trajtuar si kriminelë civilë me të drejta të plota ligjore.
Top Channel