
Gianluca Mancini, një nga liderët më karizmatikë të Romës, ka folur hapur për sfidat, ambiciet dhe rrugëtimin e tij personal dhe profesional.
Nga goli i parë me kombëtaren, tek lufta për titull në Serie A, nga dhimbjet në finalet europiane, deri tek lidhja e tij e thellë me qytetin e Romës. Ja intervista e plotë, me të gjitha pyetjet dhe përgjigjet në shqip.
Goli juaj i parë me kombëtaren kundër Izraelit. Çfarë emocioni ishte?
Shumë i bukur. Sa herë këndoj himnin me shokët e skuadrës, më kujtohen verërat kur e këndoja në bar me miqtë, duke parë Italinë. Kur shënova, m’u kujtua kur luaja me ta, apo vetëm në shtëpi me fanellën e kaltër. Është ëndrra e çdo fëmije, edhe pse ajo që ka rëndësi është të fitosh.
Nga një herë e parë te vendi i parë në renditje. A ju ka habitur ky pozicion i Romës?
Jo. Fitoret i kemi fituar me mund, i kemi merituar. Njoh mirë trajnerin, cilësitë dhe karakterin e tij. Krahasuar me kohën te Atalanta, tani ka më shumë eksperiencë ndërkombëtare, por pasioni është po ai. Në disa ndeshje mund të kemi pasur pak fat, por nuk kemi vjedhur asgjë. Gjithmonë ka një arsye kur gjërat shkojnë mirë apo keq.
Gasperini tha se Roma ende nuk është gati për Champions. A e ndani këtë mendim?
Besoj se e tha sepse jemi një skuadër e re, me shumë ndryshime, përfshirë edhe trajnerin që ka metodologji të tjera. Duhet të përmirësohemi, është një proces. Nuk ndërtohet një skuadër e madhe për dy muaj. Do të ketë momente të vështira, por grupi është i fortë dhe i bashkuar.
A ju mungon Champions League?
Po, mungon. Është objektivi ynë. Një klub si Roma me një tifozeri të tillë duhet të luajë në Champions. Dy vitet e fundit kemi qenë afër, kemi bërë një finale dhe një gjysmëfinale në Europa League. Mungon, por jam i përqendruar në të tashmen.
Roma ka mbrojtjen më të mirë në Europë. Cili është sekreti?
Ka nisur me Ranierin dhe vazhdon me Gasperinin. Mbrojtësit tanë janë të fortë, edhe të rinjtë si Ghilardi dhe Ziolkowski. Dhe kemi një siguri absolute si Svilar në portë. Por merita është e të gjithëve – të gjithë bëjnë fazën mbrojtëse, nga Dovbyk te Dybala. Jemi kompaktë dhe është e vështirë të na shënosh.
Edhe ju keni ndryshuar shumë në sjellje, jo vetëm në fushë. Si ndodhi kjo?
Më parë harxhoja energji për gjëra të kota. Ranieri më bëri të reflektojë, më tha se si kundërshtar më urrente. Edhe De Rossi më bëri të kuptoj se po humbisja qetësinë. Tani jam ende një “rompiscatole”, një tip konkurrues, por menaxhoj më mirë energjitë.
Si e parashikoni ndeshjen Roma–Inter?
Do të jetë e fortë. Nuk ka më ndeshje të lehta. Interi është më i forti bashkë me Napolin, ndoshta pak më lart për atë që kanë bërë në Europë. Por do të jemi gati. Është një test për të parë sa vlejmë.
Si ndalet Lautaro Martinez?
Është një kampion i vërtetë, ndër më të mirët në botë. Jemi përballur shpesh, është gjithmonë një betejë e bukur, me fair play. Me të duhet përqendrim maksimal, një gabim dhe e ke humbur ndeshjen.
Në kombëtare keni parë rritjen e Pio Espositos. Si menaxhohen sot të rinjtë?
Jashtë vendit kanë më pak presion. Këtu të ngrejnë në qiell pas një goli dhe të fundosin pas një gabimi. Pio është i përulur, punëtor. Duket si një “i ri i vjetër”.
Në Romë keni Pisillin, por luan pak…
Piso është shumë i mirë. Kur e pashë një herë të dëshpëruar i thashë: “Mendove se nuk do gabosh më kurrë?” Gabimet ndodhin, rëndësi ka të jesh i fortë në kokë dhe të mos humbasësh busullën.
Një i ri dhe një lojtar me përvojë që ju kanë befasuar këtë sezon?
Leoni, edhe pse iku, por ishte këtu pak muaj më parë. Ka shumë cilësi. Nga të vjetrit, Modric. Të luash ende në atë nivel në atë moshë? Një “top top top” i vërtetë.
Cila mund të jetë arma e fshehtë ndaj Interit?
Nëse do e dija… Interin duhet ta përballosh hapur, pa frikë. Është një përballje që duhet ta marrësh me guxim. A fitojmë? Shpresojmë…
Mund ta vendosë ndeshjen Dovbyk?
Pse jo! Të gjithë e shpresojmë. Të duket i turpshëm, por nuk është, është një luftëtar. E kam motivuar në Lecce, i thashë: “O merr një karton të verdhë, o shëno një gol!” Dhe pikërisht kështu ndodhi: gol vendimtar.
Ju jeni idhull për tifozët. Ju shton presion kjo?
Jo, më jep energji të çmendur. Do doja të luaja gjithmonë në Olimpico. Por kur gjërat nuk shkojnë, marr përgjegjësinë. Pas nesh është një qytet që e do shumë këtë skuadër – dhe ne duhet ta tregojmë me vepra.
Flitet se ju, Cristante dhe Pellegrini, drejtoni dhomën e zhveshjes. E vërtetë?
Nuk kam dëgjuar të thonë gjë për “senatorët” e Milanit apo Interit… Nuk është e vërtetë. Dhoma e zhveshjes drejtohet nga trajneri, drejtori sportiv dhe presidenti. Ne jemi futbollistë. Thjesht kur vjen ndonjë i ri, i shpjegojmë ku ka ardhur.
Gëzimi dhe zhgënjimi më i madh në karrierë?
Fitorja e Conference League – shumë e nënvlerësuar, por ne e dimë sa e vështirë ishte. Festa ishte e paharrueshme. Dhimbja më e madhe – finalja në Budapest: asisti për Dybala, autogoli, penalltia e humbur. Herën e parë që gjuajta penallti në karrierë. Shpesh zgjohem duke ëndërruar se po e gjuaj sërish… një plagë që nuk shërohet.
Çfarë ndodhi me Spallettin pas Europianit? Nuk u thirrët më…
Asgjë. Kurrë nuk kemi debatuar. Disa trajnerë të pëlqejnë, të tjerë jo. Kur më thërrasin, jam gati. Kur jo, bëj tifo nga shtëpia. Më ka ardhur keq, sigurisht, por gjithmonë e kam respektuar vendimin.
Çfarë ndryshoi me Gattuson?
Menjëherë ndjemë që nuk mund të gabonim. Por edhe një dëshirë për të qenë bashkë, me qetësi. Spalletti kishte më shumë koncepte, donte të na bënte të kuptonim idetë e tij. Por grupi ka qenë gjithmonë i shëndetshëm.
Top Channel