Pagoi 12 milionë paund për gjyqin, deputetja britanike kërkon shpjegim për të ardhurat e Princit Andrew

18/10/2025 21:20

Një deputete britanike i ka bërë thirrje familjes mbretërore të shpjegojë se si Princi Andrew arriti të financojë marrëveshjen gjyqësore prej 12 milionë paundësh me Virginia Giuffre, e cila e kishte paditur për abuzim seksual.

Rachael Maskell, përfaqësuese e zonës York Central, tha se duhet shumë transparencë dhe ndershmëri mbi pagesën e bërë në vitin 2022.  Ajo prej kohësh ka kërkuar që Andrew t’i hiqet titulli i Dukës së Jorkut, për shkak të lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein.

Princi Andrew njoftoi të premten se nuk do ta përdorë më titullin, por zyrtarisht do ta mbajë, pasi ai mund të hiqet vetëm me një akt parlamentar.

Virginia Giuffre, e cila u vetëvra në prill në moshën 41-vjeçare, kishte deklaruar se ishte trafikuar dhe abuzuar nga Epstein që në adoleshencë, si dhe kishte ngritur një padi civile kundër Andrew në New York, duke pretenduar se ai e kishte abuzuar seksualisht kur ajo ishte 17 vjeç.

The Guardian raporton se Andrew gjithmonë i ka mohuar akuzat, por zgjodhi ta mbyllë çështjen jashtë gjykatës. Sipas “The Telegraph”, si pjesë e marrëveshjes, Giuffre pranoi të mos përsëriste akuzat për një vit, për të shmangur njollosjen figurës së tij.

Prej kohësh është përfolur se mbretëresha e ndjerë mund të ketë ndihmuar financiarisht djalin e saj, duke përdorur fonde, por kjo nuk është konfirmuar kurrë.

“Transparenca është thelbësore. Virginia Giuffre nuk është më mes nesh, por familja e saj meriton të dijë të vërtetën. Nuk duhet të ketë asnjë gënjeshtra, pavarësisht sa e pakëndshme mund të jetë për disa e vërteta”, tha Maskell.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta