Garda Kombëtare në gatishmëri, priten më shumë se 2,500 protesta kundër Trump në SHBA

18/10/2025 17:25

Guvernatorët republikanë në disa shtete amerikane kanë vënë në gatishmëri trupat e Gardës Kombëtare, për t’u përgatitur ndaj protestave mbarëkombëtare kundër Donald Trump dhe politikave të tij.

Organizatorët e protestave, të njohura si “No Kings”, thonë se tubimet do të zhvillohen në mbi 2,500 vende në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, aleatët e presidentit Trump i kanë akuzuar protestuesit se janë të lidhur me lëvizjen Antifa, të ekstremit të majtë.

Guvernatorët e Teksasit dhe Virxhinias kanë aktivizuar njësitë e Gardës Kombëtare në shtetet e tyre, megjithëse ende nuk dihet se sa e madhe do të jetë prania ushtarake në terren.

Sipas BBC, protesta e fundit “No Kings”, e mbajtur në qershor, mblodhi më shumë se pesë milionë pjesëmarrës, të cilët dolën në rrugë për të kundërshtuar axhendën politike të Trump.

Protestat e reja pritet të nisin në New York City dhe të përhapen në qytete të tjera gjatë gjithë ditës. Organizatorët theksojnë se qëllimi është të sfidohet autoritarizmi i Trump.

“Presidenti mendon se sundimi i tij është absolut, por në Amerikë, ne nuk kemi mbretër dhe nuk do të tërhiqemi përballë kaosit, korrupsionit dhe mizorisë”, thuhet në faqen zyrtare të lëvizjes.

Protesta solidariteti janë zhvilluar edhe në Evropë, përfshirë Berlinin, Madridin dhe Romin, ku demonstruesit kanë dalë në mbështetje të protestuesve amerikanë.

Në një intervistë për Fox News, Trump reagoi ndaj protestave: “Ata po më quajnë mbret. Por unë nuk jam mbret”, u shpreh ai.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, aktivizoi Gardën Kombëtare përpara një proteste të madhe të planifikuar në Austin, duke e justifikuar vendimin me kërcënimin e mundshëm të lidhur me Antifa-n.

Por demokratët e kanë dënuar këtë veprim.

“Dërgimi i ushtarëve të armatosur për të shtypur protesta paqësore është ajo që bëjnë mbretërit dhe diktatorët dhe Greg Abbott sapo e vërtetoi se është një prej tyre”- u shpreh ligjvënësi demokrat Gene Wu.

Guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin, ka urdhëruar gjithashtu aktivizimin e Gardës Kombëtare në shtetin e tij. Në protestat “No Kings” pritet të marrin pjesë edhe figura të njohura të artit dhe kinemasë, përfshirë Jane Fonda, Kerry Washington, John Legend, Alan Cumming dhe John Leguizamo.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta