
Legjenda e futbollit anglez Paul Gascoigne, i njohur për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe jetën problematike jashtë fushës, ka bërë një rrëfim të ndjerë dhe brutalisht të sinqertë për betejën e tij të përjetshme me alkoolin, duke pranuar se “nuk do të ndalë kurrë së piri” dhe se “nuk mund të ndryshojë”.
Në një intervistë për The Mirror, Gazza, tashmë 58 vjeç, tha: “Nuk kam ndryshuar, nuk mund të ndryshoj, nuk di si të ndryshoj. Do të vdes si Gazza. Por nuk kam më asgjë për të fshehur. E gjithë Anglia e di tashmë çfarë kam bërë.”
Ish-mesfushori i Anglisë, që ka kaluar disa herë në qendra rehabilitimi për të luftuar varësinë nga alkooli, thotë se tani ka më shumë kontroll mbi veten, edhe pse kthimet e herëpashershme nuk mungojnë.
“Nëse kam një rikthim, nuk zgjat me javë të tëra si më parë. Dikur pija thjesht sepse doja të pija, jo nga urrejtja ndaj dikujt. E kuptoja pasojat vetëm pasi ndodhnin.”
Ai pranoi se në retrospektivë, më të lënduarit nga sjelljet e tij kanë qenë prindërit e tij – por më shumë se të gjithë, vetë ai ka qenë viktima: “Duke parë prapa, me siguri kam lënduar nënën dhe babanë tim. Por nuk mendon për këtë. Personi që lëndohet më shumë je vetë ti.”
Gazza, i cili luajti për ekipe si Newcastle, Tottenham, Lazio dhe Rangers, dhe grumbulloi 57 ndeshje me kombëtaren e Anglisë (duke shënuar 10 gola), kujtohet për momente të paharrueshme si goli i famshëm ndaj Skocisë në Euro 1996. Por po aq sa për karrierën në fushë, ai është përfolur për jetën e tij të trazuar jashtë saj.
Në një rrëfim tjetër të bujshëm për emisionin Good Morning Britain, ai tregoi se kishte pirë brandy gjatë pushimit të ndeshjes finale të Kupës së Ligës së Skocisë në 1996, kur luante për Rangers: “Ishte pushimi i ndeshjes. Menaxheri më pyeti nëse kisha pirë dhe unë thashë jo. Ai më tha ‘shko e pi një’. Piva nëntë brandy, dola në fushë dhe shënova dy gola… fitova çmimin ‘lojtari i ndeshjes’. Por nuk më lanë të shkoja në festën pas ndeshjes – sepse i kisha pirë të gjitha në pushim.”
Gascoigne përmendi edhe emra të tjerë të njohur që kanë vuajtur nga varësia, si George Best dhe Jimmy Greaves, duke theksuar se ai nuk përpiqet të jetë si ata, por thjesht po përpiqet të jetojë për sot.
Ai është aktualisht në promovim të librit të tij të ri “Eight”, i cili, sipas tij, do të tregojë për herë të parë “Gazza-n e vërtetë”.
Top Channel