Dështoi të transferohej te Liverpool-i në minutat e fundit të merkatos, titullari i Anglisë konfirmon “divorcin” me klubin e tij

18/10/2025 12:50

Crystal Palace do të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, pasi mbrojtësi qendror Marc Guéhi ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me klubin.

Lajmi u konfirmua nga trajneri Oliver Glasner gjatë një konference për shtyp, ku sqaroi se lojtari tashmë ka njoftuar vendimin e tij për t’u larguar në verën e vitit 2026.

“Mendoj se Marc na ka thënë tashmë se nuk do të nënshkruajë një kontratë të re, kështu që do të largohet vitin tjetër,” tha Glasner.

“Klubi donte që ai të qëndronte, i ofroi një kontratë të re, por ai tha ‘jo, dua të provoj diçka ndryshe’. Dhe kjo është normale.”

Guéhi, i konsideruar si një nga mbrojtësit më të talentuar të Premier League dhe pjesë e rregullt e kombëtares angleze, ishte pranë kalimit te Liverpool gjatë ditës së fundit të merkatos verore për një shumë prej 35 milionë £ (rreth 42 milionë euro). Megjithatë, transferimi u bllokua në minutën e fundit pasi Palace nuk mundi të siguronte një zëvendësues të denjë.

Kontrata aktuale e Guéhi-t skadon më 30 qershor 2026, dhe duke filluar nga 1 janari 2026, ai do të jetë i lirë të negociojë me klubet jashtë Anglisë. Edhe pse teorikisht ekziston mundësia që Palace të përpiqet ta shesë gjatë merkatos së janarit për të përfituar diçka financiarisht, skenari më realist mbetet që ai të përfundojë sezonin në Selhurst Park dhe të largohet si lojtar i lirë në verë.

Largimi i Guéhi-t përfaqëson një humbje të ndjeshme për skuadrën londineze, pasi lojtari ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes që prej transferimit të tij nga Chelsea në vitin 2021. Performancat e tij konsistente në Premier League dhe me Anglinë e kanë bërë një objektiv të dëshiruar për klubet elitare në Evropë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta