
Ace Frehley, kitaristi ikonë dhe një nga bashkëthemeluesit e grupit legjendar Kiss, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Lajmin e konfirmoi familja e tij përmes një deklarate të publikuar të enjten, duke thënë se muzikanti ndërroi jetë në një spital në New Jersey, si pasojë e dëmtimeve të marra pas një rrëzimi të fundit.
“Jemi të shkatërruar dhe me zemër të thyer,” shkruan familja. “Në momentet e tij të fundit, patëm fatin ta rrethojmë me fjalë të dashura, lutje dhe paqe. Kujtimet më të mira të tij, buzëqeshja dhe mirësia që ai shpërndau do të jetojnë përjetësisht.”
I lindur si Paul Daniel Frehley në New York më 1951, Ace ishte një nga themeluesit e Kiss në vitin 1973, së bashku me Paul Stanley, Gene Simmons dhe Peter Criss. Ai performoi në nëntë albumet e para të grupit dhe u bë i njohur për stilin e tij të veçantë në kitarë, përfshirë efektin ikonë të tymit që dilte nga instrumenti gjatë solo-ve live.
Në skenë, ai njihej si “The Spaceman” – një nga katër alter-egot e Kiss, krahas Demonit (Simmons), Starchild (Stanley) dhe Catman (Criss). Gjatë një interviste më 2009, Ace deklaroi: “Nuk kam marrë kurrë mësim kitarre. Nuk di të lexoj muzikë, por jam një nga kitaristët më të njohur në botë – shih e merr vesh.”
Në vitin 1978, kur të katër anëtarët e Kiss publikuan solo albume në të njëjtën ditë, ishte albumi i Frehley ai që shiti më shumë, veçanërisht falë versionit të tij të hitit New York Groove. Por suksesi i madh nuk erdhi pa kosto: në fillim të viteve ’80, Ace u përball me probleme serioze me varësinë dhe u largua nga grupi në vitin 1982.
Ai deklaroi më vonë se në atë kohë kishte mendime vetëvrasëse: “Isha i ngatërruar. Nëse do të qëndroja në atë grup, do të isha vetëvrarë.”
Në vitin 1984 themeloi grupin e tij Frehley’s Comet, ndërsa në 1989 publikoi albumin Trouble Walkin’. Më 1996, u ribashkua me Kiss për një turne të suksesshëm botëror, por u largua përfundimisht në vitin 2002.
Në vitet e fundit, marrëdhëniet mes Frehley dhe Gene Simmons u tensionuan, sidomos pasi Simmons deklaroi publikisht se Ace ishte larguar nga grupi për shkak të drogës. Frehley iu kundërpërgjigj fuqishëm: “Kam 12 vjet që jam i pastër. U largova me dëshirën time sepse ju dhe Paul jeni kontrollues dhe të pamundur për të bashkëpunuar.”
Rrëzimi në studion e tij në fund të shtatorit 2025 i shkaktoi një hemorragji në tru. Pas javësh në kujdes intensiv dhe anulimit të turneut të planifikuar për 2025, ai nuk mundi të rikuperohej.
Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi reagime emocionale në komunitetin muzikor:
Paul Stanley & Gene Simmons: “Të shkatërruar. Ai ishte një ushtar i pazëvendësueshëm i rock-ut dhe një pjesë e përhershme e trashëgimisë së Kiss.”
Peter Criss: “Jam i tronditur!!! Miku im… Të dua!”
Mike McCready (Pearl Jam): “Nuk do të kisha marrë kitarën në dorë pa ndikimin e Ace. Ai më ndryshoi jetën.”
Bret Michaels (Poison): “Faleminderit për muzikën, për koncertet dhe për miqësinë. Pusho në paqe, vëlla.”
Ace Frehley la pas gruan e tij, Jeanette, dhe vajzën Monique. Për fansat dhe muzikantët e brezave të tërë, ai do të mbetet një figurë frymëzuese – një rebel i skenës, një ikonë e rock-ut dhe një “spaceman” që fluturoi më larg se shumica.
Top Channel