“Spalletti erdhi për të më larguar”/ Totti rrëfen të pathënat: Roma më la në baltë, u zhgënjeva shumë

17/10/2025 11:11

Francesco Totti, kapiteni legjendar i Romës, ka bërë një rrëfim të sinqertë dhe të thellë gjatë një interviste për emisionin Prime Sport, të drejtuar nga miku i tij dhe ish-bashkëlojtar, Luca Toni.

Në një bisedë të hapur, Totti foli për gjithçka: nga marrëdhëniet me trajnerët, momentet më të vështira e deri te ndarjet e dhimbshme me klubin që e identifikon më shumë se kushdo.

Totti nuk i kurseu fjalët ndaj Luciano Spallettit, me të cilin kishte pasur një raport të ndërlikuar, veçanërisht në fundin e karrierës: “Spalletti erdhi te Roma në 2016 për të më larguar. Kishte gjithmonë tension mes nesh. Ai ndoshta mendon se e hoqa nga skuadra duke sjellë Ranierin, por kjo nuk është e vërtetë. Ishte klubi që na pyeti për disa emra, dhe nuk isha vetëm unë që vendosa.”

Ai shton se mënyra si u mbyll gjithçka me Romën ishte më e dhimbshme se çdo konflikt personal: “Më thanë se do të luaja derbin e fundit. E dija që fundi do të vinte, por ndihesha ende mirë fizikisht dhe mendërisht. Në atë moment, Roma më zhgënjeu më shumë se Spalletti. E kuptova që për ta isha bërë një bezdi. Isha gati të luaja falas, vetëm që të qëndroja.”

Pasi la fushën, Totti rrëfen se u përball me një boshllëk të thellë emocional: “Pas lamtumirës, ndjeva sikur nuk kisha më tokë nën këmbë. Ishte si një ndarje mes nënës dhe birit. Qava për tri javë rresht. Rilexova letrën time të lamtumirës në banjë dhe më shpërthyen lotët. Kuptova se nuk do të kishte më një ditë tjetër si ajo.”

Totti rikthehet në fillimet e tij, duke zbuluar se karriera mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë: “Kur isha 12 vjeç, Milani ofroi 160 milionë lireta për mua. Braida erdhi vetë në shtëpi, por mamaja nuk donte të largohesha nga Roma. Kështu që mbeta këtu. Për mua, Giannini ishte një zot. Mazzone? Ishte si babai im i dytë.”

Për Claudio Ranierin, Totti ka respekt, por thekson se nuk kanë më kontakte: “Ranieri është i vetmi që mund t’ua shpjegojë lojtarëve çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë. Por që kur u kthye, nuk kam dëgjuar më prej tij.”

Dhe kur vjen fjala te zgjedhjet që ka bërë në jetë: “Kam refuzuar oferta nga Real Madrid dhe MLS. Edhe Mihajloviç më thirri për te Torino, por nuk do të vishja kurrë fanellë tjetër. Nuk kam asnjë keqardhje. Zgjedhja ime ka qenë gjithmonë Roma.”

Për Tottin, triumfi me Romën mbetet momenti më i madh në karrierë: “Fitorja e Kupës së Botës është ëndërr për çdo lojtar, por për mua, Scudetto me Romën ishte mbi gjithçka. Njerëzit mund të thonë se jam i çmendur, por e vendos atë një hap më lart.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta