“Rastësisht si futbollist”/ Ish-sulmuesi i Milanit: Stambolli? Një histori e mallkuar, pengu më i madh i karrierës

17/10/2025 13:41

Ish-sulmuesi i Argjentinës dhe një nga emrat më të dashur të brezit të tij, Hernan Crespo, ka dhënë një intervistë të sinqertë dhe nostalgjike ku flet për gjithçka – nga Lautaro Martinez, te eksperiencat me ekipin kombëtar, e deri te karriera si trajner.

Çfarë ndjen Crespo kur e sheh Lautaro Martinez që e ka kaluar në renditjen e golashënuesve më të mirë të Argjentinës?

“Është një ndjesi e përzier: gëzim dhe melankoli. Gëzim për Lautaron, që po tregon se është një sulmues i pamëshirshëm dhe i domosdoshëm për Argjentinën, por edhe pak trishtim… Sepse koha kalon. Tashmë jam mbi 50 vjeç, kam flokë gri dhe nuk mund të bëj më atë që bëja në fushë. Por jam i përkushtuar te São Paulo, një klub i madh, ku dua të jap maksimumin si trajner.”

Si e përshkruan Crespo Lautaron si futbollist?

“Është një sulmues i kompletuar. E sheh portën si pak të tjerë. Di të luajë me ekipin, të krijojë hapësira, është driblues i mirë dhe mbi të gjitha, ka personalitet. Për mua, është një kampion i vërtetë.”

A është bërë Lautaro një lider i Argjentinës?

“Po, pa dyshim. Mjafton ta shohësh si luan. Mbrojtësit kundërshtarë frikësohen, e ndjekin me nga dy vetë. Kjo do të thotë që ai ka arritur pjekurinë e plotë.”

Çfarë kujtimesh ka Crespo nga periudha me kombëtaren?

“Fantastike. Sa herë që shënoja, e puthja fanellën. Goli im i parë erdhi ndaj Ekuadorit në Buenos Aires, në eliminatoret për Kupën e Botës 1998. Atëherë kishim një kombëtare të fortë: Batistuta, Veron, Simeone, Ortega… Por u eliminuam në çerekfinale nga Holanda. Ishte zhgënjim i madh.”

Dhe më pas, si përjetoi Botëroret e tjera në 2002 dhe 2006?

“2002 ishte katastrofë – nuk dolëm nga grupi. 2006? U eliminuan përsëri në çerekfinale nga Gjermania, me penallti. Si brez, ishim rritur me mitin e Maradonës dhe ëndërronim ta përsëritnim lavdinë e vitit 1986. Por nuk ia dolëm.”

A ka një peng të madh tjetër në karrierë?

“Po, finalja e Champions League në Stamboll, 2005. Isha me Milanin, shënova dy gola, pjesa e parë mbaroi 3-0 për ne. Dhe pastaj, Liverpooli barazoi dhe fituan me penallti. Nuk ishte e lehtë ta përballoja. Për vite me radhë nuk e shikoja dot atë ndeshje. Vetëm kohët e fundit kam filluar ta pranoj atë që ndodhi.”

Kush ishte shoku më i mirë i skuadrës për Crespon?

“Paolo Maldini. Jo vetëm për cilësitë teknike, por për vlerat morale. Ai më tregoi çfarë do të thotë të jesh kapiten.”

A është më e vështirë të jesh trajner apo futbollist?

“Trajneri ka përgjegjësi shumë më të mëdha. Një lojtar mendon për veten. Një trajner mendon për 25-30 veta. Më duket sikur jam një mësues që drejton një klasë të tërë. Dhe është shumë më e vështirë se të luash.”

Cilët janë trajnerët që kanë ndikuar më shumë te Crespo?

“Ancelotti – si një baba për mua në Itali. Mourinho – një motivues i jashtëzakonshëm. Bielsa – një vizionar që sheh përtej të tashmes. Jam frymëzuar nga ta, edhe pse e di se është e vështirë të arrij sukseset që ata kanë pasur.”

Me cilin klub e ndjen më shumë lidhjen emocionale?

“Parma. Më morën që i vogël dhe më kthyen në një qendërsulmues të klasit botëror. Kam fituar shumë atje. Ishte një rastësi që u bëra futbollist. Shkova për të shoqëruar një mik në provat te River Plate dhe më zgjodhën mua.”

Idhulli i fëmijërisë?

“Van Basten. Kisha posterin e tij në mur. E shikoja Milanin e Sacchi-t dhe përpiqesha ta imitoja. Por si mund të imitosh një fenomen të tillë? Ai ishte nga një planet tjetër.”

Çfarë dëshiron Crespo për të ardhmen?

“Të drejtoj një klub evropian, pse jo një italian. Do të ishte mbyllja perfekte e rrethit. Por për momentin, përqendrimi im është te São Paulo.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta