
Federico Dimarco po kalon një moment fantastik në këtë fillim sezoni me Interin, duke rikthyer versionin më të mirë të vetes.
Mbrojtësi i majtë ka qenë protagonist absolut në të dyja frontet — Serie A dhe Champions League — ku në tetë ndeshje ka regjistruar 2 gola dhe 3 asistime.
Forma e tij e lartë ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha europiane dhe, sipas Tuttosport, një prej tyre është Manchester United. “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të rikthehen në garë për 26-vjeçarin që në merkaton e janarit, pasi kishin tentuar edhe më herët transferimin e tij.
Trajneri i ri i United, Rúben Amorim, e shikon Dimarcon si përforcimin ideal për krahun e majtë në skemën e tij 3-4-3, ku italiani do të përshtatej në mënyrë perfekte si mbrojtës i avancuar në linjë të katërt.
Megjithatë, vullneti i vetë lojtarit është i qartë: Dimarco dëshiron të qëndrojë te Interi dhe të vazhdojë të ndërtojë karrierën e tij në shtëpinë ku është rritur. Madje, ai ëndërron të mbyllë karrierën në “San Siro” dhe një ditë të mbajë shiritin e kapitenit.
Për të përforcuar këtë qëndrim, drejtuesit Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio kanë nisur tashmë punën për rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2027. Plani është që t’i ofrojnë një zgjatje deri në vitin 2029 ose edhe 2030, me përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare.
Dimarco nuk është vetëm një mbrojtës me vlerë taktike, por edhe një krijues i vërtetë i rasteve për gol. Sipas një studimi të fundit të CIES Football Observatory, ai renditet në top 5 në Europë për lojtarët që krijojnë më shumë raste. Para tij janë emra si Lamine Yamal, Arda Güler, Raphinha dhe Mohamed Salah – të gjithë me profil shumë më ofensiv.
Në Serie A, Dimarco është numri një për krijimin e rasteve. Këto shifra janë një arsye më shumë pse trajneri Christian Chivu, i cili ka filluar të përfshihet gjithnjë e më shumë në projektin sportiv, nuk do të donte ta humbiste.
Top Channel