Goditje e rëndë për Chelsea-n, Maresca konfirmon dëmtimin e Cole Palmer/ Ja edhe sa javë të tjera do të mungojë ylli i “Bluve”

17/10/2025 12:31

Cole Palmer do të qëndrojë jashtë fushave për edhe gjashte javë të tjera, për shkak të një dëmtimi të vazhdueshëm në muskujt e ijëve.

Ylli i Chelseat, 23 vjeç, u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 20 minutash lojë në humbjen 2-1 ndaj Manchester United më 20 shtator. Trajneri Enzo Maresca, fillimisht kishte deklaruar se klubi shpresonte ta rikthente numrin 10 në muajin nëntor, por tashmë e ka korrigjuar atë parashikim.

Në konferencën për shtyp përpara sfidës së fundjavës ndaj Nottingham Forest, Maresca u shpreh: “Gabova. Fatkeqësisht, ai do të mungojë edhe për gjashtë javë të tjera.”

Megjithatë, tekniku italian konfirmoi se Palmer nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, duke shtuar: “Po, absolutisht, nuk ka nevojë për operacion. Po mundohemi ta mbrojmë sa më shumë që mundemi. Stafi mjekësor nuk është magjik. Shpresojmë që këto gjashtë javë të jenë të mjaftueshme. Është një dëmtim që po e vlerësojmë javë pas jave.”

Palmer ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Chelseat, dhe mungesa e tij është ndjerë ndjeshëm në organizimin ofansiv të skuadrës londineze. Dëmtimi në ijë është bërë kronik dhe kërkon kujdes të madh për të shmangur rikthimin e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta