Fitoi një nga Champions-at më ikonik në histori, ish-trajneri i Liverpool-it dhe Realit drejt stolit të klubit grek

17/10/2025 10:24

Rafa Benitez është shumë pranë një rikthimi të bujshëm në futbollin europian, teksa pritet të firmosë me gjigandët grekë të Panathinaikosit.

Trajneri spanjoll, i cili është i lirë që pas largimit nga Celta Vigo në vitin 2024, është në bisedime të avancuara me klubin athinas, që këtë sezon garon në Europa League – një kompeticion që Benitez e ka fituar më parë.

Sipas raportimeve nga Sport24, ish-trajneri i Liverpool-it dhe Real Madrid-it ka mbërritur tashmë në Athinë, ku ka zhvilluar takime me presidentin e Panathinaikosit, Giannis Alafouzos. Ai udhëtoi me avion privat dhe është zgjedhja e preferuar e drejtuesit sportiv Franco Baldini për drejtimin e skuadrës.

Benitez pritet të firmosë një kontratë dy vjet e gjysmë me klubin grek, me një marrëveshje që kap vlerën totale prej rreth 11 milionë paundësh. Kjo do të jetë një nga marrëveshjet më të mëdha financiare për një trajner në kampionatin grek në vitet e fundit.

Klubi nga Athina ka një histori të pasur në arenën ndërkombëtare, përfshirë një finale të Kupës së Kampioneve në vitin 1971 kundër Ajax-it në Wembley, si dhe arritje në gjysmëfinalet e Champions League në vitin 1996 dhe çerekfinalet në 2002.

Në javët e fundit, Benitez është parë gjithashtu në tribunat e Emirates Stadium pranë Evangelos Marinakis, pronari i Olympiacos dhe Nottingham Forest, gjatë ndeshjes së Arsenalit ndaj ekipit grek. Kjo ka ngjallur spekulime për një interes të mundshëm edhe nga rivalët e qytetit, por duket se është Panathinaikos që ka siguruar shërbimet e teknikut me përvojë të madhe.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta