“Chivu ishte pikërisht trajneri që na duhej”, rrëfehet drejtori sportiv i Interit: Neymar zikaltër? Ja si qëndron e vërteta

17/10/2025 09:49

Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka mbyllur çdo dyshim mbi të ardhmen e tij, duke refuzuar kategorikisht ofertat nga klubet e huaja, përfshirë ato nga Arabia Saudite.

Në një intervistë për Corriere dello Sport, ai thekson besnikërinë ndaj klubit zikaltër: “Jam i lumtur aty ku jam. Kam një kontratë deri në vitin 2027. Në të kaluarën kam marrë oferta më të mëdha financiarisht, por nuk jam larguar kurrë nga Interi.”

Ausilio ka sqaruar disa nga lëvizjet që Interi ka shqyrtuar gjatë merkatos, duke zbuluar prapaskenat pas disa tratativave të rëndësishme: “U përpoqëm për Lookman sepse besuam se ai do të na lejonte të ndryshonim diçka në skuadër, por Atalanta ishte e vendosur. Ndërkohë, pati kontakt për Koné, por në një moment Roma na njoftoi se situata nuk po përparonte. Kështu që vepruam për Diouf.”

Interi do të përballet me Romën të shtunën në “Olimpico”, dhe Ausilio komentoi edhe për ish-trajnerin Gian Piero Gasperini: “Ai kaloi shumë pak kohë me ne. Do të doja të kisha punuar me të, duke parë gjithçka që ka arritur më pas. Është një trajner i shkëlqyer.”

Kur u pyet për mundësinë e ardhjes së trajnerëve si Cesc Fabregas apo Roberto De Zerbi, Ausilio u përgjigj prerë: “Chivu ka gjithçka që kërkonim, është i duhuri edhe për pronarët. Sa për Fabregas e De Zerbi? Kemi bërë analizat tona dhe kemi marrë vendimet tona. Nëse ata preferuan të mos largoheshin? Kjo është ajo që thoni ju.”

Në intervistë, Ausilio ndau opinionin e tij për disa nga trajnerët më të mirë që ka njohur: “Në fushë? Spalletti dhe Conte. Në menaxhim? Simone Inzaghi, Mancini dhe Ranieri – me të cilin kam një marrëdhënie shumë të afërt.”

Duke mbyllur intervistën, drejtori sportiv hodhi poshtë çdo thashethem që e lidhte Neymar me Interin në muajt e fundit: “Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë. Nuk kam folur dhe as nuk kemi ofruar ndonjëherë për Neymar. Është një informacion i gabuar.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta