Është zbuluar sot shkaku i vdekjes së ish-kampionit të botës në boks, Ricky Hatton, i njohur me nofkën “The Hitman”.

Legjenda britanike u gjet i pajetë në banesën e tij në Hyde, Greater Manchester, më 14 shtator, ndërsa policia ka konfirmuar se vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.

Gjatë seancës së parë të hetimit, në Gjykatën e Koronerit në Stockport, u bë e ditur se shkaku paraprak i vdekjes ka qenë varja. Hetuesit sqaruan se Ricky ishte parë për herë të fundit nga familjarët më 12 shtator, duke u dukur në gjendje të mirë.

Dy ditë më vonë, menaxheri i tij, Paul Speak, shkoi në banesën e boksierit për ta shoqëruar drejt aeroportit të Manchesterit, ku ata do të niseshin për në Dubai. Ai e gjeti Hatton-in pa ndjenja, dhe menjëherë u thirrën shërbimet e urgjencës. Hetimi është pezulluar deri më 20 mars të vitit të ardhshëm.

Në prag të seancës, djali i tij Campbell Hatton foli në emisionin Good Morning Britain, duke treguar për betejat e të atit me shëndetin mendor:

“Ishim gjithmonë të hapur për këtë temë. E dija që babai vuante, e kam parë nga afër shumë prej atyre periudhave të vështira. Por fakti që ai fliste hapur për problemet e tij më ka ndihmuar edhe mua të përballem me të miat,” – u shpreh Campbell.

Ricky Hatton, një nga figurat më të dashura të boksit britanik, u përcoll për në banesën e fundit javën e kaluar, në një ceremoni emocionale ku morën pjesë personalitete si Liam Gallagher, Tyson Fury, Frank Bruno dhe Tony Bellew.

Top Channel