Më në fund qetësi për Antonio Conten, ja kur do të rikthehet në fushë Romelu Lukaku

16/10/2025 12:19

Kanë kaluar 63 ditë nga miqësorja e 14 gushtit në Castel di Sangro, kur Romelu Lukaku pësoi një dëmtim të rëndë në muskulin e kofshës së majtë gjatë ndeshjes kundër Olympiacos. Që prej asaj dite, sulmuesi belg i Napolit nuk është rikthyer më në fushë.

Sipas Gazzetta dello Sport, Lukaku po vazhdon fazën e rikuperimit mes pishinës dhe palestrës, me synimin për t’u rikthyer sa më shpejt. Ai pritet të kthehet në Itali në mesin e nëntorit, në qendrën stërvitore të Napolit në Castel Volturno, ku do të informojë stafin mjekësor për ecurinë e rikuperimit dhe do të ndjekë një program të ri pune.

Data e madhe për rikthimin e tij është 18 dhjetori 2025, dita kur Napoli do të përballet me Milanin në gjysmëfinalen e Superkupës Italiane (ekskluzivitet i Mediaset). Lukaku ëndërron të rikthehet pikërisht në këtë ndeshje: bilanci i tij kundër kuqezinjve është mbresëlënës — 14 ndeshje, 11 fitore, 7 gola dhe 2 asistime.

Nga ana burokratike, nuk ka pengesa: Napoli mund ta regjistrojë Lukakun në listën e skuadrës në çdo moment, pasi rregullorja e Serisë A lejon zëvendësimin e dy lojtarëve gjatë sezonit.

Ndërkohë, nga Belgjika, Big Rom ndjek me vëmendje skuadrën dhe veçanërisht Rasmus Hojlund, i cili me golat e tij po bën maksimumin për të mbajtur lart repartin ofensiv. Trajneri Conte mezi pret ta ketë sërish në dispozicion Lukakun, për të pasur dy sulmues të fuqishëm në momentet vendimtare të sezonit.

Top Channel