Jannik Sinner “fluturon” në gjysmëfinale të Six Kings Slam në Riad, përballje e zjarrtë me Novak Djokovic

16/10/2025 07:18

Jannik Sinner konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe siguron kualifikimin në gjysmëfinalet e turneut miqësor “Six Kings Slam” që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

Tenisti italian, aktualisht numri 2 në botë, mposhti pa shumë vështirësi Stefanos Tsitsipas me rezultatin 6-2, 6-3, në një ndeshje që zgjati pak më shumë se një orë.

Pavarësisht një momenti të shkurtër pasigurie në setin e dytë, kur humbi një servis në avantazhin 3-0, Sinner dominoi takimin nga fillimi deri në fund. Seti i parë u mbyll 6-2 pas tre “break”-eve të fituara, ndërsa në setin e dytë, edhe pse greku u përpoq të rikthehej në lojë, italiani ruajti kontrollin dhe vulosi fitoren 6-3.

Kjo fitore i siguron 23-vjeçarit vendin në gjysmëfinale kundër Novak Djokovic, në një përballje që premton spektakël. Dyshja do të rikthehet të sfidohet pas duelit të vitit të kaluar, ku Sinner triumfoi në tre sete – gjithashtu në fazën gjysmëfinale.

Në anën tjetër të shortit, Taylor Fritz mposhti Alexander Zverev me rezultatin 6-3, 6-4, duke rezervuar një duel interesant me Carlos Alcaraz për një vend në finale.

Gjysmëfinalet do të luhen të enjten, ndërsa finalja e madhe zhvillohet të shtunën në ANB Arena të Riadit, në një turne që ka mbledhur disa nga emrat më të mëdhenj të tenisit botëror dhe premton një spektakël sportiv në një atmosferë luksoze.

Top Channel