
Amir Rrahmani do të vazhdojë aventurën e tij me Napolin edhe për disa vite të tjera.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, klubi napolitan dhe mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës, që do të zgjatet deri në vitin 2029.
Kontrata aktuale e Rrahmanit skadon në vitin 2027, por palët kanë vendosur të zgjasin bashkëpunimin që tani. Firmosja është vetëm çështje kohe dhe konsiderohet si formalitet pas akordit të arritur.
Rrahmani, një nga lojtarët më të besuar në mbrojtje që prej transferimit në vitin 2020, ka qenë një nga blerjet më të goditura të Napolit në vitet e fundit. I preferuar nga trajneri Antonio Conte edhe në sezonin e kaluar, ai është një titullar i padiskutueshëm kur është në formë.
Edhe pse këtë sezon ka hasur disa probleme fizike dhe dëmtime, qendërmbrojtësi kosovar pritet të rikthehet së shpejti në formacionin titullar, me synimin për të ndihmuar skuadrën në mbrojtjen e titullit kampion të Serie A.
Me këtë rinovim, Napoli tregon edhe një herë besimin që ka tek Rrahmani si një element thelbësor në projektin afatgjatë të klubit.
Top Channel