
Pas eksperiencave te Barcelona, Arabi Saudite dhe kualifikimit për në Botëror me Bregun e Fildishtë, Franck Kessie mund të jetë gati për t’u rikthyer atje ku ndjeu lumturinë më të madhe — në Serie A.
Ish-mesfushori i Milanit, i cili fitoi titullin kampion nën drejtimin e Stefano Piolit, po mendon seriozisht të largohet nga Al-Ahli, ku u transferua në verën e vitit 2023 për 12.5 milionë euro. Sipas mediave italiane, Juventusi është sërish në gatishmëri për të siguruar shërbimet e tij, pas përpjekjeve të dështuara në merkaton e verës.
Kessie, që ka kontratë me klubin arab deri në vitin 2026, nuk është përshtatur plotësisht me futbollin saudit dhe dëshiron të rikthehet në Evropë për të garuar në nivelet më të larta. Në moshën 28-vjeçare, ai mbetet një mesfushor i kompletuar: me forcë fizike, eksperiencë, aftësi për të depërtuar përpara dhe saktësi nga pika e bardhë.
Juventusi, që kërkon një mesfushor të besueshëm për të forcuar repartin qendror, e sheh Kessie-n si një alternativë të vlefshme — veçanërisht nëse Koopmeiners nuk arrin të bindë stafin teknik.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet paga e lartë e lojtarit: aktualisht Kessie përfiton 10 milionë euro në sezon, shumë që tejkalon kufijtë financiarë të Juventusit. Për të realizuar transferimin, lojtari nga Bregu i Fildishtë duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të rrogës, duke e afruar atë në nivelin e pagave të yjeve si Vlahovic (5-6 milionë euro).
Nëse kjo ndodh, operacioni mund të jetë i realizueshëm dhe strategjik për klubin bardhezi, që nën drejtimin e ardhshëm të Damien Comolli synon të krijojë një skuadër më fizike dhe me përvojë ndërkombëtare.
Top Channel