
Në ditën ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, në Durrës u zhvillua një marshim protestë përpara Bashkisë nga anëtarë të shoqatës së të verbërve.
Atyre iu bashkuan dhe persona të tjerë që vuajnë sfidat e një realiteti jo mbështetës për ta.
Personat me aftësi të kufizuara, pjesëmarrës në marshim, kërkuan integrim, mbështetje institucionale, akses më të mirë në hapësirat publike dhe respektim të të drejtave të tyre, të garantuara me ligj.
Saimir Farrici, president i shoqatës “Shpresë për të Verbërit”, theksoi se personat e verbër përballen çdo ditë me mungesa dhe vështirësi të ndryshme, duke nisur nga lëvizja.
Ndërkaq Jonuz Meta, kryetar i shoqatës së të verbërve të Durrësit, kërkoi përfshirje më të madhe të kësaj kategorie në vendimmarrje dhe në jetën publike.
Edhe Adivie Hoxha, kryetare e shoqatës së tetraplegjikëve të Durrësit, u bashkua me thirrjen për më shumë mbështetje, solidaritet shoqëror dhe investime konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, që simbolizon pavarësinë dhe dinjitetin e personave të verbër në mbarë botën.
Top Channel