
Debati për të ardhmen e sulmit italian ka ndezur mediat dhe tifozët: a do të jetë Pio Esposito apo Francesco Camarda numri 9 i ardhshëm i Azzurrëve?
Të dy lojtarët janë shumë të rinj, tashmë luajnë në Serie A dhe kanë potencial për të garuar në derbin e Milanos.
Megjithëse krahasimet janë të natyrshme, ekspertët theksojnë se janë lojtarë të ndryshëm, me stile të ndryshme sulmuesish dhe me tre vjet diferencë në moshë. Esposito, 20 vjeç, ka debutuar më herët si profesionist dhe ka shënuar 63 gola në 169 ndeshje për klubet dhe ekipet kombëtare të rinj, përfshirë 14 gola në 38 paraqitje për U-15 të Italisë.
Nga ana tjetër, Camarda, 17 vjeç, ka shënuar 22 gola në 89 ndeshje, duke treguar potencial të madh për të ardhmen. Sulmuesi i Lecce-s ka treguar karakter të fortë, duke debutuar në Serie A në moshë shumë të re dhe duke përballuar presionin e një Serie C të vështirë.
Në aspektin teknik, Esposito është i gjatë (mbi 1.90 m), fizikisht i fuqishëm dhe dominues në zonën e penalltisë, ndërsa Camarda, edhe pse më i vogël, ka zhvilluar aftësi të shkëlqyera sulmuese dhe lëvizje të thella që e bëjnë të vështirë për mbrojtësit kundërshtarë.
Karakteri dhe personaliteti nuk mungojnë tek asnjëri prej tyre. Esposito tregon lojë të mençur dhe bashkëpunim me shokët e ekipit, ndërsa Camarda shkëlqen me guxim dhe vendosmëri, duke kërkuar gjithmonë hapësira dhe mundësi për të shënuar.
Një aspekt ku Esposito duhet të përmirësohet është qetësia para portës, duke shmangur mbingarkesën emocionale në situata të thjeshta, ndërsa Camarda tregon më shumë siguri në momentet vendimtare.
Ekspertët shpesh e krahasojnë Esposito me Christian Vieri për forcën dhe aftësitë teknike, ndërsa Camarda i ngjan stilit të sulmuesit francez Benzema, me lëvizjet e tij të thella dhe rrezikun që krijon për mbrojtësit.
Top Channel