
Vendi bosh në Gjykatën Kushtetuese, i krijuar pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, ka hapur një debat të thellë mbi mënyrën se si përzgjidhen anëtarët e instancës më të lartë të drejtësisë në vend.
Në thelb të këtij debati qëndron një votë, një fletë që, sipas dosjes me dokumenteve zyrtare të siguruara nga Top Channel, mund të ketë ndryshuar fatin e procesit. Në mbledhjen e posaçme të Gjykatës së Lartë, ku u votua për anëtarin e ri të Kushtetueses, gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues me vetëm 6 vota, përkundrejt 9 votave që mori kandidatja Naureda Llagami, njëra prej të cilave është shpallur e pavlefshme.
Në procesverbalin që disponon Top Channel, vullneti i gjyqtarit që ka votuar për Llagamin është i qartë, por një komision i brendshëm teknik, me në krye sekretaren e Gjykatës së Lartë, ka vendosur që kjo votë të mos konsiderohet e vlefshme. Ky vendim, për pasojë, i hoqi Llagamit të drejtën për t’u shpallur fituese, megjithëse kishte arritur shumicën e kërkuar prej 3/5 të votave të 15 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, siç parashikon ligji. Në këtë mënyrë, duke hedhur poshtë një votë të shprehur qartë për kandidaten më të votuar, rruga për në Gjykatën Kushtetuese iu hap Asim Vokshit, i renditur vetëm 0.2 pikë më lart se Llagami nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Një proces i tillë, i zhvilluar brenda institucionit që përfaqëson majën e sistemit gjyqësor, ngrit pyetje serioze mbi besueshmërinë e vetë procedurave gjyqësore në Shqipëri. Nëse në sallën ku gjyqtarët më të lartë të vendit vendosin për anëtarët e Kushtetueses, një votë e qartë shpallet e pavlefshme, çfarë garancie kanë qytetarët për drejtësinë në çështjet e tyre të përditshme, qofshin ato penale apo pronësie?
Sipas dokumentave dhe ankesës së depozituar nga Naureda Llagami, vendimi për shpalljen e pavlefshme të votës është marrë nga një komision me punonjës civilë të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë gjykuar mbi vlefshmërinë e votës së gjyqtarëve që ata vetë shërbejnë. Ky fakt ka ngritur tashmë një çështje të re në sistemin gjyqësor.
Është vetë kandidatja Naureda Llagami që ka kundërshtuar vendimin në Gjykatën Administrative, duke pretenduar se është shkelur neni 13 i Rregullores së Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, i cili përcakton rastet kur një votë mund të shpallet e pavlefshme, raste që, sipas saj, nuk qëndrojnë në situatën konkrete. Llagami ka kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe pezullimin e zbatimit të tij, por Gjykata Administrative ka deklaruar se çështja është jashtë juridiksionit të saj, pasi vendimmarrja i përket vetë Gjykatës së Lartë. Pas kësaj, kandidatja më e votuar i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që të ndalohet zbatimi i një padrejtësie të dukshme dhe që të njoftohet rezultati real i votimit në favor të saj: ‘me 9 vota, duke u shpallur fituese për vakancën e krijuar’.
Kjo sagë gjyqësore, tashmë në duart e vetë Kushtetueses, ka bllokuar përkohësisht emërimin e anëtarit të nëntë të saj. Por përtej vonesës procedurale, ajo ka hapur një plagë më të thellë…atë të dyshimit. Dyshimit se në majën e drejtësisë, aty ku ligji duhet të jetë më i pastër, vullneti mund të përmbyset nga interpretimi. Sepse, nëse një votë e qartë humbet në duart e atyre që duhet ta mbrojnë, atëherë humbet edhe besimi i qytetarëve se sistemi është i drejtë. Dhe kur humbet besimi, drejtësia mbetet veç një sallë bosh me karrige të zëna.
Top Channel i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Lartë që të publikojë procesverbalin e plotë të votimit dhe arsyetimin mbi shpalljen e pavlefshmërisë së fletës. Sepse drejtësia nuk humbet me një vendim të gabuar, por me një vendim të paqartë. Dhe kur një shenjë në një fletë vendos fatin e një institucioni, ajo shenjë nuk është thjesht laps. Por është historia që po shkruhet për drejtësinë shqiptare.
Top Channel