Zgjedhjet në Kosovë, Lista Serbe humbi mbështetje? Por ndikimi i Vuçiçit vazhdon

14/10/2025 13:54

Pavarësisht fitores së saj në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, Lista Serbe, në sytë e ekspertëve, e ka humbur një pjesë të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Ky fenomen duket se është ndikuar nga shfaqja e kandidatëve të rinj në disa komuna. Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku do të zhvillohet raundi i dytë i votimeve.

E njëjta situatë kishte ndodhur edhe në lokalet e 2021-shit, kur Lista Serbe e fitoi raundin e dytë. Megjithatë, krahasuar me shifrat e atëherë, analistët vërejnë një zbehje të përkrahjes për këtë parti. Ky trend është veçanërisht i dukshëm në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe mori 60% të votave në zgjedhjet e së dielës, thotë REL.

Katër vjet më parë, kjo parti, e mbështetur nga Beogradi, kishte marrë këtu rreth 91% të votave. Një ndryshim këtë herë ishte se serbët në këtë komunë mund të votonin edhe për gjashtë kandidatë të tjerë serbë.

Vetë fakti që kanë dalë kandidatë të rinj është domethënës për politologun nga Beogradi, Ognjen Gogic. “ Nëse nuk do të kishte rënie të mbështetjes për Listën Serbe, nuk do të kishte vota për partitë tjera.

Vetë fakti që kanë dalë grupe të reja, tregon se ka mendime të reja, disponim të ri, nevojë për një alternativë”, shprehet ai, ndërsa shton më tej se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç po e përdor fitoren e Listës Serbe për të ruajtur ndikimin politik në veri të Kosovës, por edhe për pushtetin e vet në Serbi.

Top Channel