Dorëshkrimet e Dritëro Agollit/ Ekspozohen pjesë origjinale të veprës “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

14/10/2025 21:33

Në 94-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, shtëpia e tij, e cila prej një viti është shndërruar në muze, u mbush nga lexues dhe dashamirës të veprave të shkrimtarit.

Për herë të parë, u ekspozua dorëshkrimi origjinal i “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, roman i cili është ribotuar disa herë para dhe pas ’90. Mes blloqeve të shënimeve ku ka gjenezën Zylo, u zbulua dhe ditari që autori ka shkruar gjatë udhëtimit të tij në Kongo.

“Ky ditar hedh dritë mbi atë kapitull që do t’i shtohet librit pas 1990. Shkrimtarët gjatë periudhës së komunizmit kanë qenë në përballje me censurën, por ajo që është më e fortë edhe në rastin e Agollit sipas meje, ka qenë autocensura. Këto dëshmi tregojnë qartë që kapitujt që janë botuar pas 1990, nuk i ka botuar më parë sepse e dinte që këto kapituj nuk do të ishin të pranueshëm për atë sistem ku jetonte”-u shpreh Prof. Dr. Anila Mullahi.

Mes rreshtave të këtyre dokumenteve të rralla, studiuesit zbulojnë sitlin unik të Agollit.

“Ka një element karakteristik që mua më ka bërë shumë përshtypje kur i kam parë dorëshkrimet, kaligrafia jashtëzakonisht shumë e rregullt dhe e pastër, me shumë pak gabime, madje dhe kur shton lë gjithmonë një faqe bosh, që në një moment të dytë nëse do të shtojë diçka, e shton në faqen bosh dhe nuk e bën pis faqen ku ai ka shkruar. Është nga ata shqiptarë, që nuk i pëlqen t’i ndryshojë dorëshkrimet, i qëndron shumë më tepër besnik asaj që ka shkruar në fillim fare“-shton Mullahi.

Me “Shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo”, shkrimtari ka trajtuar me një stil satirik, burokracinë dhe rregullat e vështira të socializmit.

Po e njëjta dukuri, pavarëisht nga sistemi që ka ndryshuar, është edhe sot. Në këtë mënyrë, veprat e mëdha e kapërcejnë kohën dhe u përshtaten dukurive shoqërore dhe në rastin konkret, kemi një letërsi satirike.”-shprehet studiues Prof. Dr. Xhevat Lloshi.

Me nostalgjinë për miqësinë dhe kohën e kaluar së bashku, profesor Xhevat Lloshi kujton bisedat me Agollin…

“Do të bëheshin zgjedhjet dhe Dritëroi ishte deputet i Devollit, më mori mua me vete dhe shkuam në disa shtëpi dhe ju e dini se në çdo rast shqiptarët do të na qerasnin dhe kemi pirë. Shkoi mesnata, unë nuk kisha më mundësi ta përballoja Dritëroin dhe Dritëroi e thirri shoferin dhe tha ‘lere Xhevatin te Hotel Turizmi, ndërsa mua më ler të humbas në Devollin tim’“-shton Lloshi.

Sipas profesorit, frymëzimin e tij, Agolli e gjente te krijimtaria popullore, ndaj veprat e tij u bënë aq të dashura për të gjithë.

 

Top Channel