Zidane pranë rikthimit në stol? Rrëfehet legjenda franceze: Jam i gatshëm, midis Juventusit dhe Francës zgjedh…

13/10/2025 17:46

Zinedine Zidane ka konfirmuar se është i gatshëm të rikthehet në pankinë, duke mos përjashtuar një të ardhme në krye të kombëtares franceze, por duke mos hequr dorë as nga ideja për të drejtuar Juventusin.

I pranishëm në Festivalin Sportiv të Trentos, ish-trajneri i Real Madridit foli për shumë tema, përfshirë të ardhmen e tij dhe kujtimet nga e kaluara si lojtar.

“Patjetër që do të kthehem si trajner,” u shpreh Zidane, i cili është pa skuadër që prej vitit 2021. “Unë te Juventusi? Nuk e di pse nuk ka ndodhur kurrë. Është një klub që e kam gjithmonë pranë zemrës, sepse më ka dhënë shumë. Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja, por një nga qëllimet e mia është të stërvit ekipin kombëtar francez. Do ta shohim.”

Zidane foli edhe për fillimet e tij në rolin e trajnerit: “Kur u ndala si lojtar, ndryshova jetën. Pas tre vitesh kërkova veten, provova shumë gjëra, derisa u regjistrova në kursin e trajnerit. Nga të gjithë trajnerët që kam pasur, më shumë kam mësuar nga Lippi. Ai besoi tek unë kur mbërrita në Itali dhe ishte shumë i rëndësishëm. Ancelotti ishte fillimisht trajneri im, më pas u bëra ndihmësi i tij – është mik dhe ka pasur rol të madh në karrierën time.”

Zizou theksoi rolin thelbësor të trajnerit në një ekip: “Për mua, trajneri përfaqëson 80% të një klubi. Sigurisht që kam pasur lojtarë të mëdhenj si Ronaldo, Benzema, Kroos, Isco, Modric… ata nuk e humbnin topin as në stërvitje. Cristiano ndoshta e humbte pak, por shënonte gola të pabesueshëm.”

Ai foli edhe për marrëdhënien e tij me Juventusin: “Vitet në Torino ishin të mrekullueshme. Në Itali kuptova se gjithçka kishte të bënte me fitoren. Më kujtohet Agnelli – kur luaja mirë, më telefononte në 6 të mëngjesit për të më përgëzuar. Del Piero ishte i jashtëzakonshëm, një nga më të mirët në Itali. Pata fatin të luaja me të për 4-5 vite.”

Zidane ndalet edhe te Liga e Kampionëve, një kompeticion që Juventusit shpesh i ka rrëshqitur nga duart: “Është e vështirë ta fitosh. Humbëm dy finale – ndaj Dortmundit dhe Real Madridit – por nuk e di pse. Për të fituar Championsin, duhet shumë: edhe vizion dhe përkushtim nga klubi.”

Ai zbuloi gjithashtu detaje nga transferimi te Real Madridi: “Ishim në një gala në Monako dhe Florentino Perez më dërgoi një shënim ku më pyeste nëse doja të vija te Reali. Pas 5 vitesh te Juve, i thashë vetes: ‘O tani ose kurrë’ dhe pranova. Nuk është e vërtetë që Figo nuk ma pasonte topin. Pastaj erdhi Ronaldo – fenomeni. Në stërvitje bënte gjëra të pabesueshme.”

Në fund, Zidane ndau reflektime mbi futbollin modern: “Është e vërtetë që sot mungon një ‘numër 10’ i mirëfilltë. Nëse do të luaja sot, do të zbatoja detyrat në mbrojtje, por në sulm do të bëja çfarë ndiej. Idhulli im ka qenë Enzo Francescoli. Më pëlqen Yamal, edhe Yildiz, i cili është te Juve. E njoh mirë dhe jam i lumtur për të.”

Top Channel