“Shqipëria plotëson vetëm një kriter për në BE”, Berisha: Gjatë qeverisjes së Ramës u larguan 1 milionë shqiptarë

13/10/2025 13:06

Pak orë pasi Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli për një punë mbresëlënëse të bërë nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave, lideri i PD-së, Sali Berisha mendon se vendi ynë plotëson vetëm një kriter për t’u bërë pjesë e BE-së.

Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se Tirana zyrtare ka në përputhje me BE-në vetëm qëndrimin në politikën e jashtme.

“Shqipëria përveç kriterit gjeostrategjik nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE. Nëse i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësisht natyrore apo shkaqesh të tjera. Gjatë qeverisjes së Ramës u larguan nga Shqipëria 1.099.000 qytetarë të këtij vendi. Kjo sepse në opinionin e PD-së, Shqipëria përveç kriterit të politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër”.

Sipas tij “Në Shqipëri sot të gjitha pushtetet janë në duart e Ramës. Mbi 88% e mbi 220 mijë të punësuarve në administrate, i përkasin partisë- shtet. Rama burgosi liderë të opozitës dhe deputetë të saj. Partia-shtet në Shqipëri për të marrë mandatin e katërt përdori të gjitha mjetet dhe burimet e shtetit dhe shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale”.

Top Channel