
Debutuesi Klisman Cake është gati për miqësoren me Jordaninë.
Në konferencën përpara medias, mbrojtësi i Shkëndijës foli për emocionet e grumbullimit, duke u shprehur se të gjithë te klubi kuqezi i Tetovës e uruan për fitoren me Serbinë dhe tha se është i gatshëm gjithmonë për Kombëtaren, qoftë në fushë, qoftë në pankinë ose qoftë në tribunë.
“Emocionet s’mund t’i përshkruaj. Është një ëndërr që çdo shqiptar ka: të luajë për kombëtaren. Dhe unë jam grumbulluar.
Askush nuk të jep atë premtim që të luash në kombëtare. Duhet të jesh gjithmonë gati për ekipin kombëtar.
Nuk e kisha menduar gjatë. Kur më erdhi, u lumturova shumë. Gjithë jetën kuqezi.
Te klubi i Shkëndijës janë gëzuar shumë, duke ditur se sa shumë e duan kombëtaren dhe sa patriotë janë ata. I gjithë ekipi më përgëzoi dhe më uruan të fitoja ndeshjen me Serbinë.
Te Shkëndija më japin emocion ngjyrat kuqezi, por te kombëtarja është gjë tjetër. Çdo fëmijë e ëndërron. Është një ëndërr e bërë realitet.
Nesër i ftoj të gjithë tifozët që të vijnë në stadium dhe ta festojmë të gjithë së bashku atë fitore të madhe”, tha Cake.
Top Channel