Mbahet në Tiranë Forumi i parë i Investimeve, Rama batuta me Presidenten e KE: Këtu do gjesh ushqim të mirë, e më pak mërzi se në Bruksel

13/10/2025 12:33

Mbahet sot në Shqipëri Forumi i parë i Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), një ngjarje historike që bashkon vendet e rajonit, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota.

Gjatë fjalës së hapjes së këtij Forumi, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama deklaroi se duan që këtë forum ta zhvillojnë çdo vit në Tiranë, teksa nuk i kurseu batuta me presidenten e KE, Ursula Von der Leyen, së cilës i tha se në Tiranë do të gjejë më shumë diell, ushqim të mirë dhe më pak mërzi se në flluksën e saj në Bruksel.

“Faleminderit Ursula që u ktheve në Ballkanin Perëndimor për të na sjellë edhe më shumë lajme të mira, edhe më shumë detyra shtëpie, por edhe për të shijuar më shumë diellin, ushqim më të mirë dhe më pak mërzi se sa në flluskën tënde të të BE në Bruksel.

Dua që t’i bëj një falënderim të veçantë skuadrës suaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për ta bërë realitet këtë gjë dhe sidomos drejtorit tuaj të përgjithshëm që ndau me ne mendimet e veta të mprehta për dobinë e një konference të tillë investimesh mes BE dhe BP. Konferencë që jemi të gatshëm ta kthejmë në një mbledhje të përvitshme, në një program gjithnjë e më ambicioz”, tha Rama.

Fjala e plotë e Edi Ramës: 

Një mirëseardhje shumë të ngrohtë të gjithëve në Tiranë, në një tjetër pikë kulmore të mbledhjes së bashku, e një miqësie në rritje e fatit të përbashkët europian që na lidh.

Ju lutem bashkohuni me mua për t’i uruar mirëseardhjen sot Presidentes së Komisionit Europian, mikes së dashur të Shqipërisë e të gjithë rajonit tonë, Ursula von der Leyen.

Faleminderit e dashur Ursula që u ktheve në Ballkanin Perëndimor për të na sjellë edhe më shumë lajme të mira dhe sigurisht edhe më shumë detyra shtëpie, por po kështu për të shijuar më shumë diell, një ushqim më të mirë dhe sigurisht më pak mërzi sesa në flluskën tënde të BE-së në Bruksel.

Me lejen tuaj zonja Presidente dua që t’i bëj një falënderim të veçantë skuadrës tuaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për ta bërë realitet këtë gjë dhe sidomos drejtorit tuaj të përgjithshëm Gert Jan që ndau me ne mendimet e veta të mprehta, për dobinë e një konference të tillë investimesh midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Një konferencë që jemi të gatshëm ta kthejmë në një mbledhje të përvitshme me një program gjithnjë e më ambicioz.
Të dashur pjesëmarrës,

Për një kohë mjaft të gjatë historia e Europës dhe Ballkanit Perëndimor është shkruar me gramatikën e pritjes. Pritja për BE-në u bë thuajse një sinonimi e pritjes për “Godon”, në një pikë të caktuar u bë vërtet dëshpëruese.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë rimishërimi i Vladimirit dhe Estragonit, të pamundur për t’u shkëputur dhe të dënuar të presin së bashku. Megjithatë kurrë nuk ndalëm së ëndërruari momentin kur historia do të ndryshonte dhe kurrë nuk reshtëm së punuari në mënyrë që kur ky moment të vinte të na gjente gati, të përgatitur dhe përpara afati.

Dhe shkoi pikërisht kështu, kur momenti erdhi ishim gati të nisnim së bashku me Komisionin Europian procesin e negociatave që nuk mund të ishte më intensiv e as më çlirues nga fantazmat e së shkuarës. Nga kërkesa jonë për anëtarësim te oreksi ynë për rritje, po përvijohet një hartë e re, jo në letër, por në hapin tonë të të ardhurit bashkë e më afër Bashkimit Europian në fluksin e turistëve dhe investimeve europiane dhe në zgjimin e një ideje të thjeshtë, por të fuqishme që Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasëm i Europës, e as lagjja e tij e dorës së dytë, por horizonti i tij i ri. Një horizont i ri, jo prej muresh e kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate. Një horizont ku Europa mund të rizbulojë shkathtësinë e saj, oreksin, urinë e saj, nxitjen krijuese dhe mbi të gjitha dashurinë për jetën, për paqen, për të bërit bashkë.

Sa më shumë hedhim sy nga bota rreth nesh, ku loja e madhe e ekonomisë lëviz me shpejtësi, ku zinxhirët e furnizimit dridhen, ku teknologjia riformëson jetën orë pas ore, ku tranzicioni i gjelbër kërkon, jo vetëm rregulla, por kurajë, aq më shumë ndjejmë si kurrë më parë nevojën për më shumë Europë.

Dhe pikërisht këtu, në zemër të këtij gadishulli, dikur përfillur si një periferi, i etiketuar, “fuçia e barutit të Europës” gjendet një rajon me rritje dy herë më të shpejtë sesa mesatarja europiane, që ka një nivel të ulët borxhi, e çka është më e rëndësishme, me një energji sipërmarrëse që nuk i trembet së nesërmes.
Kjo nuk është rastësi, është një horizont i ri!

Horizont i ri për mua, do të thotë një vend ku investimet europiane gjejnë një ritëm shpejtësie të ri, ku novacioni nuk e gjen veten të zhytur nën pirgje letrash, e ku rezistenca nuk është slogan, por një nevojë e përditshme që përmbushet nga përkushtimi i pakushtëzuar ndaj Bashkimit të Europës.
Një vend ku projektet mund të shkojnë nga ideja në realizim më shpejt se kudo tjetër në kontinent.
Ku rregullat nuk janë një labirint, por një shkallë, ku sektori privat e qeveritë lëvizin, jo në vija paralele, por pikëtakohen si partnerë në një të ardhme të përbashkët.

Një vend, ku BE-ja dhe rajoni i saj takohen, jo vetëm për të folur për të ardhmen, por për ta bërë të ardhmen realitet. E nuk duhet shumë shkencë, por duhet ca kurajë për të kuptuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet strehë amortizuese rregullatore e Europës, laboratori i tij i rezistencës, një hapësirë për të testuar, për të ndërtuar e për të provuar të ardhmen. Nga energjia e lëndët e para kritike, tek infrastruktura e inteligjencës artificiale, prodhimi i teknologjisë së lartë, këto zinxhirë europianë të vlerës mund të zgjerohen, të diversifikohen e të bëhen më të fortë sepse le ta themi troç, Europa nuk e ka luksin të varet nga ajo çka nuk kontrollon dot edhe në Ballkan nuk mund të kemi luksin të mbetemi ajo çka jemi quajtur gjithmonë, në rastin më të mirë, potencial.

Ndaj, le ta zëvendësojmë potencialin me qëllim, le ta kthejmë këtë kënd të Europës në një korsi të shpejtë të transformimit të Europës, le të imagjinojmë një zonë të përbashkët të horizontit të ri, një ekosistem të ndërlidhur, ku investimet miratohen, jo për vite të tëra, por vetëm për muaj, ku përputhshmëria është e thjeshtë e transparente dhe e ndihmuar nga novacioni, digjitalizimi, inteligjenca artificiale, ku ligjet e tregut pikwtakohen me vlerat e Bashkimit Europian, le ta bëjmë një hapësirë të gjallë jetese për bizneset e sjella afër, jo vetëm në prodhim, por në besim. Le ta bëjmë një vend ku kompanitë europiane vijnë, jo për krahun e lirë të punës, por për partneritete inteligjente.

Ne e dimë vendin tonë, nuk po kërkojmë të na jepet falas një vend në tryezë. Po kërkojmë të ndihmojmë BE-në në përpjekjet e veta për ta ndërtuar këtë tryezë nga e para, sepse zgjerimi apo bashkimi, siç preferoj ta quaj, nuk mund të ketë të bëjë vetëm me gjeografinë duhet të ketë të bëjë me inteligjencën strategjike. Ballkani Perëndimor nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet. Ky është mesazhi i horizontit të ri, që kapitulli tjetër i qëndresës e konkurrueshmërisë së Europës nuk do të shkruhet vetëm në Bruksel apo në kryeqytetet e vjetra të Europës së mrekullueshme të Bashkimit Europian, por edhe në Podgoricë, Tiranë, Beograd, Shkup, Prishtinë, Sarajevë, së bashku.

Nga qymyri e çeliku në novacion e besim për partnerët europianë, nuk u kërkojmë bamirësi a dhurata kërkojmë vetëm vizion, të njëjtën vizion që dikur bashkoi hekurin e çelikun për të krijuar paqe, i cili tashmë mund të bashkojë novacione investimi për të krijuar qëndresë, i njëjti vizion që solli më parë bashkë kombe si: Polonia, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, e Slloveninë në Bashkimin Europian, duke çelur asokohe një horizont të ri, që krijoi një rritje të jashtëzakonshme për ta, e i solli Bashkimit Europian dividend të tillë që nuk i kish parë për dekada të tëra.

Le të përvijojmë së bashku një udhërrëfyes, ku stimujt tanë pikwtakohen me përparësitë tuaja, ku reformat tona i përgjigjen nevojave tuaja dhe ambiciet tona përputhen me nivelin europian, siç thoshte Albert Camus: “Bujaria e vërtetë kundrejt së ardhmes është t’i japësh gjithçka së tashmes”. Fuqia e Europës nuk do të matet në fund të fundit nga madhësia e institucioneve të veta, por nga shtrirja e imagjinatës së saj, një imagjinatë që është diçka që Ballkani Perëndimor e ka me bollëk.

Pra, le t’i japim gjithçka kemi këtij momenti të tashëm, këtij horizonti të ri, që mund ta ndërtojmë së bashku. Le të kujtojmë fjalët e Jean Monnes, një prej etërve themelues të Europës: “Njerëzit e pranojnë ndryshimin vetëm kur përballen me nevojën dhe e shohin nevojën vetëm kur ia beh kriza”.
E meqë ra fjala, nevoja është këtu, kriza ka ardhur tashmë. Ndaj le ta transformojmë nevojën në vizion dhe krizën në krijim.

Le ta çelim këtë horizont të ri, jo vetëm me deklarata por me vepra. Le ta vërtetojmë që midis Alpeve e Egjeut ka ende hapësirë për Europën që të rritet e të bëhet më e urtë, të rritet më shpejtë, të bëhet më e lirë. Në këto linja, më lini të citoj presidenten Ursula von der Leyen e cila në fjalën e saj për gjendjen e BE e bëri shumë të qartë. Europa do të ecë gjithmonë më mirë kur ne të punojmë së bashku me parterët tanë, me fqinjët tanë, me ata që ndajmë shpresat dhe historinë tonë. Kështu që, le të punojmë së bashku jo vetëm për Europën që kemi trashëguar apo për Europën që kemi ëndërruar, por për Europën që ende mund ta imagjinojmë së bashku.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen: Faleminderit shumë kryeministër, i dashur Edi, për organizmin e këtij forumi këtu në Tiranë.

Zonja dhe zotërinj, në fakt një vit më parë erdha në Shqipëri dhe vizitova të gjithë rajonin me një zotim. Një zotim që qytetarët e kompanitë e Ballkanit perëndimor do të nisnin të përjetonin BE-në në jetët e tyre të përditshme dhe që ju do ndjenit të mirat e ecjes përpara së bashku.

Pas një viti ka ndodhur pikërisht kështu. Më lini t’ju jap një shembull. Më kujtohet shumë mirë i dashur Edi kur më the në fillim që donit që Shqipëria të bëhej pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesës në euro, SEPA. Shërbimet e mia thanë që do duhej të bënit shumë punë nga ana juaj, do duhej shumë vendosmëri për të miratuar reformat dhe shumë kohë, por për më pak se dy vjet e bëtë realitet. Që javën e shkuar kompanitë këtu në Shqipëri mund të dërgojnë para në BE e të marrin para prej andej me kosto tejet të ulëta dhe ambasadori im më tha që e ka provuar sistemin.

Në datën 6 tetor, ai donte të çonte para nga Brukseli në Tiranë, ndërkohë që parave iu duhej 3-4 ditë të mbërrinin në Tiranë me një kosto prej 50 eurosh. Më 8 tetor, dita kur u bëtë pjesëtar të SEPA-s bëri të njëjtën gjë. Dërgoi para nga Brukseli në Tiranë. Dërgesa u bë brenda pak minutash dhe pa asnjë kosto.
E njëjta gjë po ndodh edhe në Malin e Zi e në Maqedoninë e Veriut. Tarifat e transaksioneve në Ballkanin Perëndimor ishin 6 herë më të larta sesa në Bashkimin tonë Europian. Ndërkohë që, anëtarësimi në SEPA do t’ju kursejë kompanive tuaja plot 500 milionë euro në vit. Këto janë para reale në bilancet tuaja. Kjo është pikërisht ajo çka do të thotë ta përjetosh BE në kontinentin europian në jetën e përditshme. Është përparim, jo vetëm në letër, por në realitet. Dhe falë punës së madhe të udhëheqësve si ju Edi dhe këmbënguljes së qytetarëve shqiptarw, ky ndryshim po ndodh këtu dhe tani.
Zonja dhe zotërinj,

Ky shembull është provë e një fakti të thjeshtë. Ballkani Perëndimor është tashmë në mënyrë të konsoliduar në rrugëtimin e vet për t’u bërë pjesë e BE dhe e dimë se çfarë do të thotë kjo në terma ekonomike. Sepse e kemi parë të ndodhë më parë. Të gjitha vendet qe janë bërë pjesë e Bashkimit tonë Europian kanë përjetuar një rritje të pabesueshme ekonomike. Mendoni për valët e fundit të anëtarësimit në BE. Ekonomia e Polonisë u trefishua në madhësi për më pak se tre dekada. Në Kroaci, papunësia u ul nga 17 % në 4% vetëm për një dekadë. E njëjta gjë do ndodhë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor dhe nuk po flas për një të ardhme të largët.

Ekonomitë tuaja janë të prirura të rriten tashmë me shpejtësi vitet që vijnë dhe ne e miratuam planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor saktësisht për këtë arsye. BE çel sektorët e vet të ekonomisë për bizneset tuaja, së bashku punojmë për reforma për të pasur një fushë të barabartë loje e krahë reformave vijnë investimet.
Plani i Rritjes i Ballkanit Perëndimor synon dyfishimin e PBB rajonale për dekadën e ardhshme kështu që mesazhi im për investuesit sot është i drejtpërdrejtë. Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani.

E më vjen mirë të shoh kaq shumë prej jush sot të gatshëm për të përfituar mundësitë e biznesit që krijohen nga një integrim më i afërt

Për pak momente do të nënshkruajmë 10 marrëveshje të rëndësishme biznesi. Nesër do të diskutoni 24 investime të tjera të mundshme dhe së bashku ato mund të sjellin më shumë se 4 miliardw euro investime të reja në rajon.
Kështu, kjo do të jetë një nxitje masive për të gjithë rajonin. Kompanitë lokale do të rriten falë investimeve europiane dhe kompanitë nga BE do zgjerojnë veprimtarinë e tyre në rajon duke krijuar vende pune lokale dhe mundësi të reja përgjatë shumë zinxhirëve të vlerës.

E megjithatë çfarë e bën kaq të veçantë këtë forum? Nuk është vetëm madhësia e investimeve që po shpallim. Me këto projekte po e sjellim Ballkanin Perëndimor brenda politikës tonë industriale të BE. Po çelim disa prej iniciativave thelbësore ekonomike tonat për ju dhe dua të flas për inteligjencën artificiale, dua të flas dhe për integrimin e industrive tuaja në tregun tonë të përbashkët, ndaj sot po përçojmë një sinjal të qartë sektorit të biznesit. Nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor zgjidhni Europën. Kjo duhet të jetë motoja jonë.
Dhe dua t’ju jap tre shembuj.

E para, inteligjenca artificiale. I dyti për energjinë e pastër dhe i treti për zinxhirët e furnizimit.
Dhe më lini ta nis me inteligjencën artificiale dhe me lini t’ju tregoj, t’ju rrëfej një histori që nisi shumë më përpara se të kishim inteligjencën artificiale në telefonat tanë. 10 vjet më parë Evropa po ecte pas pjesës tjetër të botës në garën për fuqi kompjuterike. Kishim vetëm një super-kompjuter, në 10 kompjuterat më të mirë globalë po pastaj kontinenti u mobilizua në të tërësi dhe i bëmë super kompjuterat përparësi të mandati të parë dhe sot kemi 4 super kompjuter në 10 kryesorët globalisht. Po pse është e rëndësishme kjo? Sepse po i përdorim këta super kompjuter për të zhvilluar zgjidhje europiane të inteligjencës artificiale, po ngremë një rrjet fabrikash të AI në mbarë Evropën dhe këto janë vende, ku bizneset dhe startup-et tona mund të zhvillohen, të trajnohen e po kështu të dislokohen gjeneratat e tyre të ardhshme të AI dhe sot mund të deklaroj që ne do të hapim fabrikat tona të AI në Ballkanin Perëndimor.

Do ta nisim me ngritjen e dy fabrikave në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe do ta shtrijmë këtë shtyllë kurrizore digjitale me shpejtësi të lartë në të gjithë rajonin dhe kjo do të lejojë të gjitha kompanitë në të gjashta vendet partnere në të gjithë rajonin, të lidhen me këto fabrika, që do të thotë, fabrikat tuaja do të kenë mundësi t’i qasen infrastrukturës së inteligjencës artificiale evropiane këtu, në rajon. Me fjalë të tjera fuqia kompjuterike e Unionit do të jetë në shërbimin tuaj, ashtu siç dua që të bëhet e ardhmja e AI, pra të bëhet në Evropë, ashtu dua që edhe Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj.

Shembulli im i dytë ka të bëjë me energjinë e pastër. Zhvillimi i teknologjive të klasit të lartë të pastër, është jo vetëm jetik për planetin, është jetik edhe për konkurrueshmërinë tonë. Çdo biznes, drejtues biznesi, çdo familje në Europë kujton krizën energjetike që u shkaktua me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe ndërprerjen e gazit për ne. Ju kujtohet tronditja e marrjes së faturave të papërballueshme të energjisë elektrike, çmime të cilat u rritën me shpejtësi por së bashku i tejkaluam ditët më të këqija të kësaj krize, përfshirë edhe përmes mbështetjes evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, por faturat janë ende mjaft të larta dhe e ne e dimë se çfarë i rrit çmimet; është varësia jonë nga energjia fosile e importuar, por e dimë se çfarë i ul këto çmime. Duam e duhet të prodhojmë energji më të pastër këtu në shtëpi. Energjia e ripërtëritshme është një energji që prodhohet së brendshmi, kësisoj na jep pavarësi, është energji me kosto të ulët. Kësisoj ulen çmimet e po kështu krijon vende të mira pune këtu në Evropë.

Por përpos prodhimit të energjisë së pastër, na duhet po kështu të ecim edhe më mirë sa i përket ruajtjes së shkëmbimit të ndarjes së tij. Në fakt kjo energji duhet të ruhet kur ka bollëk dhe duhet të mund të transferohet lirisht aty ku është nevoja më e madhe dhe këtu bëhet sërish vendi thelbësor i Ballkanit Perëndimor në Evropë. Ju jeni të pozicionuar strategjikisht në kontinentin tonë. Vendet tuaja mund të bëhen qendra prodhimi, ruajtje e ndarjeje të energjisë së pastër me pjesën tjetër të Evropës.

Sot do të nënshkruani një sërë investimesh që bëjnë pikërisht një gjë tillë; nga prodhimi i energjisë së pastër në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, në ruajtjen e energjisë, në Malin e Zi. Këto do të ulin koston e energjisë elektrike e po kështu do të kontribuojnë në pavarësinë tonë të përbashkët energjetike, kështu që më lini të jem shumë e qartë; ju po ndërtoni një shtyllë kurrizore të re energjitike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por po e ndërtoni atë për të gjithë Evropën dhe ju jemi shumë mirënjohës për këtë hap novator përpara që po hidhni në emër të BE.
Zonja dhe zotërinj, pika ime e tretë dhe fundit ka të bëjë me zinxhirët industrialë të vlerës Vitet e fundit kanë treguar se asnjë industri nuk duhet të mbështetet në një furnizues të vetëm për kontributet kritike dhe të gjithë duhet t’i shmangim ato pengesa, ato ngushti ndaj është jetike që të ndërtohen më shumë zinxhirë furnizimi dhe kurdo që është e mundur, kjo punë duhet të nisë këtu në Europë.

Shumë prej projekteve që po diskutoni në këtë forum, mund të plotësojnë këto hendeqe në zinxhirët e furnizimit industrial të Europës, për shembull përmes prodhimit të baterive për industrinë automotive, përbërës aktivë për industrinë farmaceutike, tekstile dhe po kështu lista shkon e vazhdon e vazhdon. Këto investime krijojnë vende pune e vlerë të shtuar këtu në rajon, por po kështu e bëjnë pjesën tjetër të Europës më rezistente, më konkurruese. Është në interes të ndërsjellë për ne që të integrojmë këto industri lokale strategjike në tregun e përbashkët europian.

Kështu që si mund ta bëjmë këtë realitet? Në kuadër të planit tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, po ndërtojmë një autostradë të tregut të përbashkët. Synimi është t’i sjellim industritë lokale me zinxhirët kontinentalë të furnizimit; ta bëjmë këtë me integrimin rregullator e po kështu me aleanca industriale midis kompanive në rajon e në BE.

Do ta nisim me sektorët parësorë, ku do të duhet të ndjeni dobitë e anëtarësimit në Bashkimin tonë Europian edhe përpara se të bëheni anëtarë. Në të gjitha drejtimet e sektorët, argumenti im është i njëjti; investimi në Ballkanin Perëndimor do të thotë të investosh në një treg të ardhshëm kontinental 500 milionë njerëzisht.

Ky është mesazhi që duhet të përcjellim dhe mesazhi është që projektet tuaja lokale kanë një përmasë evropiane dhe një bazë klientele evropiane, kështu që çështja e biznesit është kaq tërheqëse. Kthimi i investimit është mjaft premtues për ju, për Ballkanin Perëndimor e për të gjithë Europën, kështu që, zonja e zotërinj, për çdo hap që Ballkani Perëndimor hedh drejt Unionit tonë, do të ketë mundësi të reja që shfaqen dhe ju drejtuesit ekzekutivë dhe investuesit që jeni në këtë sallë, keni një rol thelbësor që duhet të luani. Në fakt këndvështrimi juaj është jetik.

Në këtë konferencë, më thoni, çfarë ju duhet prej nesh? Që të çkyçim projekte të reja, më thoni, ku i shihni potencialet më të mëdha për rritje? Na thoni ku pikëtakohen përfaqësitë tuaja me tonat, në mënyrë që ne të mund të ecim përpara së bashku sepse trajektorja e këtij rajoni është e qartë: e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Unioni tonë! Na takon të gjithëve ne që ta bëjmë realitet. Kështu që faleminderit shumë që jeni këtu sot dhe rroftë Europa. Faleminderit shumë!

 

Top Channel