
Kina akuzon Shtetet e Bashkuara për “standarde të dyfishta”, pas kërcënimit të fundit të presidentit Donald Trump për të vendosur një tarifë shtesë prej 100% ndaj mallrave kineze.
Në një deklaratë zyrtare nga Ministria e Tregtisë së Kinës, thuhet se një hap i tillë është “shembulli tipik i standardeve të dyfishta amerikane”, ndërsa paralajmërohet se Pekini mund të përgjigjet me kundërmasa, të cilat nuk janë specifikuar ende. “Ne nuk duam një luftë tregtare, por nuk kemi frikë prej saj,” thuhet më tej në deklaratë.
Reagimi i Kinës vjen pas komenteve të presidentit Donald Trump të premten, ku ai akuzoi Pekinin për sjellje armiqësore pas vendimit për të shtrënguar eksportet e metaleve të rralla, të nevojshme për prodhimin e teknologjive të avancuara si panelet diellore dhe telefonat inteligjentë.
“Kina po bëhet shumë armiqësore,” u shpreh Trump, duke shtuar se ajo po përpiqet ta mbajë botën “peng”.
Po të premten, Trump la të kuptohet se mund të anulojë takimin e pritshëm me presidentin kinez Xi Jinping, i planifikuar gjatë një samiti në Korenë e Jugut këtë muaj. Por të dielën ai zbuti tonin, duke shkruar në rrjetet sociale “Mos u shqetësoni për Kinën, gjithçka do të shkojë mirë! Presidenti shumë i respektuar Xi thjesht kishte një moment të keq. As ai, as unë nuk duam depresion për vendet tona.”
Këto deklarata të ndryshme të presidentit amerikan kanë shkaktuar luhatje në tregjet financiare, ku indeksi S&P 500 ra me 2.7%, humbja më e madhe që nga prilli.
Sipas marrëveshjes së muajit maj, SHBA dhe Kina kishin rënë dakord të heqin tarifat e dyfishta për mallrat respektive, duke dhënë sinjale për një qetësim të tensioneve. Por me kërcënimin e ri të Trump, frika për një përshkallëzim të luftës tregtare është rikthyer.
Në reagimin e saj zyrtar, Kina kritikoi ashpër kufizimet e SHBA-së ndaj eksporteve të çipave dhe gjysmëpërçuesve, duke i cilësuar këto si masa diskriminuese dhe abuzim me konceptin e “sigurisë kombëtare”.
“SHBA për një kohë të gjatë ka keqpërdorur konceptin e sigurisë kombëtare, ka përdorur masa të njëanshme për kontrollin e eksporteve dhe ka diskriminuar hapur Kinën,” tha zëdhënësi i ministrisë.
Ndërkohë, Kina e ka mbrojtur vendimin për kufizimin e eksporteve të metaleve të rralla, duke theksuar se bëhet fjalë për “masa normale për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”.
Të dyja palët po konsiderojnë këto lëvizje si pjesë të një pozicionimi strategjik përpara takimeve të ardhshme, megjithëse mbetet e paqartë nëse takimi mes Trump dhe Xi do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar.
Top Channel