
Ministrja e Familjes, Eugenia Roccella, ka shkaktuar reagime të shumta pas deklaratave të bëra në një konferencë në Romë, ku është diskutuar mbi antisemitizmin dhe rëndësinë e udhëtimeve arsimore në Auschwitz.
Ajo e konsideroi antisemitizmin si një fenomen të lidhur ngushtë me fashizmin dhe argumentoi se udhëtimet edukative në Aushvic shërbejnë për të treguar se antisemitizmi ishte një çështje që u përket kohës së fashizmit dhe jo diçkaje të aktualizuar.
“Çfarë ishin udhëtimet në Auschwitz? Ishin ekskursione? Ato shërbenin për të na treguar se antisemitizmi ishte një çështje që i përkiste fashizmit, dhe asgjë më shumë. Problemi ishte të ishim antifashistë, jo të ishim antisemitë”, tha ministrja gjatë fjalës së saj në konferencën “Historia e përmbysur dhe e ardhmja që duhet ndërtuar”, të organizuar nga Unioni i Komuniteteve Hebraike Italiane (UCEI).
Këto komente shkaktuan një reagim të fortë nga Liliana Segre, senatore përjetshme dhe e mbijetuar e Auschwitzit. Ajo iu përgjigj ministres, duke theksuar se edukimi për Holokaustin duhet të bazohet në njohjen e plotë të historisë dhe se kujtimi i tragjedisë së përjetuar nga hebrenjtë dhe grupe të tjera duhet të jetë një mësim për brezat e ardhshëm.
“E kam të vështirë të besoj se një ministër i Republikës mund të thoshte se udhëtimet edukative në Auschwitz u inkurajuan për të nxitur antifashizmin. Edukimi duhet të nxisë njohjen e së vërtetës, që mund të lëndojë ata që kanë skelete në dollapët e tyre”, tha Segre.
Komentet e Roccella-s kanë shkaktuar reagime të shumta nga opozita. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e quajti deklaratën të pahijshme dhe kërkoi një distancim të qartë nga kryeministrja Giorgia Meloni. Matteo Renzi, lider i Italia Viva, e mbështeti Segre-n, duke e cilësuar reagimin ndaj Roccella-s si një mbrojtje të kujtimit të Holokaustit.
Ministrja Roccella ka kundërshtuar akuzat dhe ka sqaruar se qëllimi i saj nuk ishte mohuar vlerën edukative të udhëtimeve në Aushvic, por të nxirrte në pah antisemitizmin bashkëkohor, që është ringjallur pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, pas masakrës në Izrael dhe përplasjeve në Gaza.
“Udhëtimet në Aushvic janë një mjet edukativ, por për të adresuar antisemitizmin aktual, ne duhet të kuptojmë se ai ka lindur nga një bashkëveprim i fushave të ndryshme dhe se duhet të përballemi me të pa i mbyllur sytë ndaj të kaluarës”, tha Roccella.
I ndërtuar nga nazistët si kamp përqendrimi dhe vdekjeje, Aushvici ishte kampi më i madh i nazistëve dhe qendra më e madhe e vrasjeve masive e krijuar ndonjëherë. Gjatë ekzistencës së tij, në Aushvic u vranë 1.1 milionë njerë, kryesishtë hebrenj.
Top Channel