
Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale.
Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
10:01
Për zgjedhjet lokale që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve dhe fton qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të raportojnë çdo rast dyshimi për manipulim të votës, thuhet, mes tjerash, në njoftim.
09:31
Zgjedhjet lokale, Kurti fton qytetarët të dalin për të votuar
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë.
Pas hedhjes së votës, ai iu drejtua gazetarëve duke ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të përfshihen aktivisht në vendimet për komunat e tyre.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.
08:22
Në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe, qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami raporton se Lista Serbe u prin qytetarëve serbë drejt qendrave të votimit, në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës.
Edhe pse votimi i organizuar është jo i ligjshëm, pakica serbe siç duket ka zgjedhur të grumbullohet dhe të votojë.
08:00
Korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami, bën me dije se në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës ka nisur procesi i votimit. Qendra e votimit është hapur me kohë derisa janë pritur edhe votuesit e parë.
Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe. Po ashtu ka nisur grumbullimi i qytetarëve të komunitetit serb para votimit.
Top Channel