
Pavarësisht pezullimit nga Gjykata Kushtetuese të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë në 9 Nëntor, Partia Socialiste ka vijuar fushatën me kandidaten e saj, Ogerta Manastirliu.
Ish-ministrja socialiste që do të lërë mandatin e deputetes për të garuar për vendin e lënë bosh pas arrestimit të Erion Veliajt, është takuar me mjekë dhe infermierë për të diskutuar rolin që ka bashkia në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Tirana sociale është në themel të çdo pune që bëhet në Tiranë. Qoftë në infrastrukturë, në ndërtim, fokusi do të jetë te ndikimi që ka te fëmijët, te të moshuarit, te familjet. Do të kemi vëmendjen për të plotësuar nevojat e një komuniteti që zhvillohet, që është në rritje, që kërkon dhe beson te shërbimet publike, në çerdhe, kopshte, shkolla që kemi në plan për të rritur numrin e tyre”.
Manastirliu u shpreh se pushteti vendor mund të bëjë më shumë për përmirësimin e shërbimeve sociale, duke ngritur qendra të posaçme për kategoritë me nevoja specifike.
“Bashkia mund të bëjë më shumë për shërbimet sociale, sidomos për personat me aftësi ndryshe. Kemi nevojë të hapim më shumë qendra për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe për të mbështetur familjet e tyre. Ndaj jemi të angazhuar për të ngritur një rrjet të strukturuar dhe solidar për mbështetje, që nga kopshti e më tej, për t’i integruar në jetën sociale.
Top Channel