Shpenzimet më të mëdha për ushqim/ Anketa për buxhetin familjar, INSTAT: U rritën kostot për argëtim, ranë për arsimin

10/10/2025 19:50

Shqiptarët harxhojnë më së shumti për të ngrënë. INSTAT nxjerr në pah përmes Anketës së Buxhetit për vitin 2024 se në familjet shqiptare grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” renditet i pari në piramidën e shpenzimeve, duke zënë një peshë prej gati 40% në buxhetin familjar. Perimet blihen më shpesh përgjatë një muaji.

Në një vlerë mesatare të shpenzimeve për konsum ushqimor prej gati 360 euro në muaj në një njësi ekonomike familjare të përbërë mesatarisht prej 3 anëtarësh, të dhënat tregojnë se pas perimeve 18.9% e shumës shkon për mish dhe nënproduktet e tij, si dhe më pas për bukë dhe drithëra me 15.4%.

Në vitin 2024, shpenzimet për “mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të banesës” u rritën me 5.7%, krahasuar me vitin e kaluar, pasi shpenzuan kryesisht për pajisje për përgatitjen e kafesë, çajit apo thekëse buke.

Më shumë para shkuan edhe për argëtim e kulturë; kjo sqarohet se erdhi kryesisht nga shpenzimet më të larta për “paketa turistike brenda dhe jashtë vendit”.

Por, teksa në përgjithësi grupet kanë rritje dhe fokusohen edhe për transport, veshje e këpucë; në fushën e arsimit shihet rënie krahasuar me një vit më parë, e cila mban edhe hapësirën më të vogël në shpenzimet e familjeve shqiptare, me vetëm 3.3% të buxhetit.

“Kjo lidhet kryesisht me të ardhurat e pakta, pagat e ulëta, por edhe ka një mungesë interesimi apo informacioni, sidomos në zonat rurale, për arsimimin në përgjithësi. Ata plotësojnë nevojat bazike. Por kjo është shqetësuese, sepse arsimi bën të mundur zhvillimin e shoqërisë”, thotë Ana Llazo.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shqiptarët shpenzuan gjithsej për konsum rreth 70 miliardë lekë në muaj.

Një familje harxhon mesatarisht çdo muaj rreth 950 euro, 1.5% më shumë se vjet, ku Tirana është qarku me shpenzimet më të larta. Pas tij rezulton Korça dhe Durrësi. Ndërsa më pak për konsum shpenzojnë në veri, në qarkun e Kukësit dhe Dibrës.

Top Channel