Këngëtari dhe basisti i Moody Blues, John Lodge, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Lajmi i trishtueshëm për vdekjen e tij u njoftua nga familja e tij që shkruan: Me trishtim të thellë njoftojmë se John Lodge, bashkëshorti, babai, gjyshi, vjehrri dhe vëllai ynë i dashur, ndërroi jetë papritur. Siç e dinë të gjithë ata që e donin, dashuria e tij më e madhe ishte gruaja e tij, Kirsten dhe familja e tij, ndërsa ai kishte një pasion të madh për muzikën dhe besimin e tij.”

Familja e Lodge shtoi: “John ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga të dashurit e tij dhe duke dëgjuar muzikën e Vëllezërve Everly dhe Buddy Holly. Do të na mungojë përgjithmonë dashuria, buzëqeshja, mirësia dhe mbështetja e tij e palëkundur. Zemrat tona janë të thyera, por do të ecim përpara të mbështjella me dashurinë që na la. Siç thoshte gjithmonë në fund të çdo koncerti: ‘Faleminderit që e ruajtët besimin’. ”

Kush ishte John Lodge?

John Lodge lindi në periferi të Birminghamit, Erdington, dhe ndoqi Birches Green Junior, Central Grammar dhe Birmingham College of Advanced Technology. Në vitin 1968 ai u martua me Kirsten dhe ata patën dy fëmijë, ndërsa kënga e Moody Blues “Emily’s Song” i është kushtuar vajzës së tyre.

Muzikanti britanik ishte një nga kontribuesit kryesorë të suksesit të grupit, duke marrë pjesë në disa nga këngët e tij më të famshme, të tilla si “Nights in White Satin”, “Question” dhe “Isn’t Life Strange”.

Lodge ishte anëtar i disa prej krijimeve më të rëndësishme të Moody Blues, siç është albumi psikedelik “Days of Future Passed” në vitin 1967, i cili konsiderohet si një nga albumet e para konceptuale në historinë e rokut dhe albumi pasues “In Search of the Lost Chord” në vitin 1968, ku grupi u zhvendos drejt tingujve më eksperimentalë.

Midis viteve 1969 dhe 1972, ai mori pjesë në albumet “On the Threshold of a Dream”, “To Our Children’s Children’s Children”, “A Question of Balance”, “Every Good Boy Deserves Favour” dhe “Seventh Sojourn”, përmes të cilave Moody Blues u vendos si një nga grupet kryesore të rokut progresiv.

Top Channel