Nga Ilir Demalia – Leskovac

Nesër në mbrëmje, në qytetin e Leskovacit, do të luhet ndeshja tepër e rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet përfaqësueses së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, për grupin K. Aktualisht, Shqipëria kryeson me 8 pikë (me një ndeshje më shumë), ndërsa Serbia ndjek nga afër me 7 pikë, çka e bën këtë përballje kyçe për ecurinë e mëtejshme të të dyja skuadrave në grup.

Për shkak të tensioneve dhe historikut të ngjarjeve të rënda që ndodhën në ndeshjen e 14 tetorit 2014 në Beograd, autoritetet serbe, në bashkëpunim me UEFA-n dhe Federatën Serbe të Futbollit, kanë marrë masa ekstreme sigurie. Kjo është arsyeja pse u vendos që ndeshja të zhvillohet në Leskovac — një qytet me rreth 58 mijë banorë, që me rrethina arrin deri në 130 mijë. Ndeshja do të luhet në Stadiumin e Qytetit, Stadion Dubocica me kapacitet prej rreth 8 mijë vendesh.

Nuk ka pasur shitje të biletave për publikun e gjerë — të gjithë të pranishmit në stadium janë të përzgjedhur me ftesa zyrtare, në mënyrë që të garantohet një atmosferë sa më e kontrolluar dhe pa incidente.

Masat e sigurisë janë të paprecedenta. Delegacioni shqiptar mbërriti në aeroportin e Nishit me një avion të kompanisë Air Albania dhe menjëherë pas zbritjes, pa kaluar nëpër procedurat e zakonshme të kontrollit kufitar, është nisur drejt hotelit të akomodimit. Kolona është shoqëruar nga forca të shumta policore dhe rruga ishte tërësisht e hapur vetëm për ta. Hoteli është i rezervuar ekskluzivisht për përfaqësuesen shqiptare dhe është i rrethuar nga forca të ushtrisë, policisë dhe njësive speciale të sigurisë, të cilat janë të pranishme edhe brenda ambienteve të hotelit.

Sot, në orën 17:00, Kombëtarja Shqiptare zhvilloi seancën zyrtare stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Edhe zona përreth stadiumit është nën masa të rrepta sigurie dhe e izoluar për publikun.

Deri më tani, gjithçka ka vijuar në qetësi.

Autoritetet shpresojnë që e njëjta atmosferë të ruhet edhe nesër, me fokus vetëm te sporti. Ndërkohë, të gjithë shqiptarët presin me entuziazëm dhe shpresë që kuqezinjtë të dalin me një fitore të madhe nga kjo sfidë vendimtare.

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel