“Nuk jeton një histori dashurie dy herë”/ Nga Juventusi te presidenca e FIFA-s, rrëfehet Platini: VAR-i nuk do ekzistonte nëse…

10/10/2025 19:10

Familje me fëmijë të vegjël, tifozë me fanella bardh e zi të viteve ’80 dhe foto të vjetra në celularë – atmosfera në Festivalin e Trentos u mbush me emocion dhe nostalgji teksa Michel Platini, një nga legjendat më të mëdha të futbollit, mbërriti për të ndarë kujtimet e tij.

Në auditorin “Santa Chiara”, ku duartrokitjet e gjata i dhanë mirëseardhjen, “Le Roi” – tre herë fitues i Topit të Artë – foli me ironi, sinqeritet dhe krenari për karrierën e tij, lidhjen me Juventusin dhe dashurinë për futbollin.

“Unë argëtoja turmat, jo vetëm tifozët e Juves”

Platini theksoi se qëllimi i tij në fushë nuk ishte të përçante tifozët, por të argëtonte të gjithë. “Nuk kam tallur kurrë tifozët e ekipeve të tjera, thjesht kisha një mënyrë tjetër të të luajturit,” tha ai.

Duke kujtuar origjinën e tij italiane dhe rrënjët piemonteze, ai tregoi me humor se njohuritë e tij për Italinë dikur përfshinin vetëm “Agrate Conturbia, Cesenatico, Bobby Solo dhe kujtimet e Meksikës ‘70”.

Transferimi te Juve, Boniperti dhe “avokati tjetër”

Platini zbuloi prapaskenat e transferimit të tij nga Interi te Juventusi, që ndodhi për shkak të kufizimeve për lojtarët e huaj. “Boniperti më pyeti: ‘Do të flasësh me avokatin?’ Mendoja se donte të fliste me timin, por ai fliste për Agnelli-n,” tha ai me të qeshur. “Ai më tha: ‘Duhet ta fitojmë Ligën e Kampionëve.’ ‘Do ta zgjidh unë,’ iu përgjigja.”

Miqësia me Boniek dhe një Juve që nisi me vështirësi

Fillimi te Juventusi në vitin 1982 nuk ishte i lehtë. “I thashë Bonipertit: Nëse më merr mua dhe Boniek-un dhe na bën të luajmë si në vitet ’40, nuk do të funksionojë.” Megjithatë, gjithçka ndryshoi më pas dhe sulmi francez-polak shkëlqeu në fushë.

Për Boniek, Platini ruan kujtime të ngrohta: “Nuk i mbaj mend golat që i lashë të shënonte, por ato që më la ai mua. Edhe pse humbte shumë raste, e dinim si ta ndihmonim njëri-tjetrin.”

Përfundimi i karrierës dhe pengjet e futbollit modern

Platini u tërhoq në moshën 32-vjeçare. “Isha i lodhur, fizikisht dhe mendërisht, sidomos pas asaj që ndodhi në Bruksel. Jeta nuk është e mirë kur nuk shënon gola,” tha ai, duke nënvizuar se nuk donte të bëhej një organizator si Pirlo.

Për futbollin modern ai ka rezerva, sidomos për mungesën e mesfushorëve kreativë dhe rolin gjithnjë e më të kufizuar të lojtarëve si Yildiz. “Sot, dhjetë lojtarë luajnë në krah, jo në qendër. Një kufizim për fantazinë,” shtoi ai.

VAR, FIFA dhe dëshira për një futboll më njerëzor

Platini nuk fshehu kritikat për sistemin VAR dhe për skandalin e FIFA-s që i preu rrugën si drejtues: “Po të isha president i FIFA-s, VAR nuk do të ekzistonte. Futbollit i duhet të mbetet njerëzor. Ndoshta një ditë do të kthehem dhe do të shënoj me një kundërsulm.”

Në fund, i pyetur nga tifozët nëse do të rikthehej te Juventus si trajner apo drejtues, Platini tha qartë: “Nuk jeton një histori dashurie dy herë. Unë preferoj të bëj diçka për të mirën e futbollit.”

Më pas, qindra autografe dhe një buzëqeshje që konfirmon një gjë: Michel Platini, edhe larg fushës, mbetet një kampion.

Top Channel