“Nikon e gjorë s’po e lënë të mbretërojë, Ogi me pako me aspirina”, satira e Gjekmarkajt: Zv.kryelideri tundte kokën, Albana mallkonte sa të bëhej mishi….

10/10/2025 17:38

Nga Agron Gjekmarkaj

Nikon e gjorë nuk po e lënë asnjë ditë të “mbretërojë” në krye të Kuvendit! Ai vetëm skuqet, i pafuqishëm të kundërshtojë!
“Ç’na ka gjetuar mua e Bake xhanit,” i thotë vetes, “nuk na pyet kush as për osh, as për balosh!”
Të paktën Bakja bëhet firar, nuk i duhet të përballet, fshihet nën divan sa të dojë, po mua ç’më gjeti?!!! Pu pu pu!!!

Kuqerremsia herën e fundit e shqetësoi shumë Antonetën, e cila tha: “Po dergjet , po dergjet, çoni ujë, çoni ujë!”
Evis Kushi kërkonte një leckë me uthull për t’ia vënë mbi ballë në akçihanen e Kuvendit!
Merakosej që nuk po e gjente!
Ogi tundte një pako me aspirina, po s’u vu re, i mban tani per fushate se helbete dhimbje koke!
Dilua doli me vrap jashtë duke rënkuar për të mbushur një gjym, por kur u kthye gjithçka kishte mbaruar!
Prej mbi një muaji nuk ka drejtuar asnjë seancë i ngrati — lexon njoftime e procesverbale, pastaj i thonë: lipsu!
Një ditë mendoi mos të vinte fare aty, po t’i ngjiste në shtyllë ato haberre, se po i duket vetja si kasnec!
Dilema i binte si sëpatë mbi ndërgjegje: “Më mirë Ditmari lektor e bahçevan në Harvard apo unë këtu?”

Ja edhe dje — ja mbyllën seancën kundër vullnetit të vet!
Nga poshtë i bënin shenja kopanisjeje!
Klevis Balliu i tregonte pëllëmbën me ca lëvizje që të kallnin datën! Shyqyr qe nuk ështe edhe Salianji se të prish gjakun, zift llafin kopaçe doren laneti!
Kryezevendes Lideri tundte kokën si ai që do të lëshojë anatemen e me yxhym të linte pershtypjen se do e ndukte nga veshi!
Albana jonë që tek fjala mishëron ekzistencën mallkonte sa me tu bë mishi kokërr! “Mos bëfsh hajër o Nikoqir, si nuk pamë një ditë të mirë!”

Tao po kaq u hakërrye nga salla duke vikatur: “Jam kryetari i shumicës, jam kryetari i shumicës, mbylle, mbylle!”
Një provë force që e fitoi!
Nikoqiri u ngashërye në heshtje, po nuk bëzajti, u nënshtrua!
Kolesteroli po i rritet nga ankthi! Tensioni 18 !
Gjumi i është bërë def!
Sytë kokërdhok! I fërkonte herë pas here dhe këqyrte Lamallarin , për të cilin nuk kujtohet ku e ka parë e kush është — e ngatërronte me një mbathës kuajsh në dalje të Devollit, një Llari Llari !
Albana Koçinë me hostes të linjave ajrore! Mbase me të Lufthanes qe heren e fundit i derdhi qumeshtin mbi pantallona!
Gonxhja i fanitej si muratori që i kishte restauruar shtëpinë në Korçë!
Tezen e ngatërronte me Etildën, pastaj u kujtua që Babo e kishte lënë jashtë Kuvendit, e bëri një “hëm” keqardhjeje! Po ngaterrohet Tezja me Etilden more i paudhe!
Gjynah që s’e vuri në vend të Tonit, psherëtiu — më mirë ajo shpirtëdhembshura se ky zullap!
Me njërin sy qau pak!

Kërkonte Borën, i mësuar ta shihte te banaku i qeverisë katër vjet, dhe i dukej padrejtësi që ajo, e heshtur me Iglin si Gjoci me Mricin, atje në mes të mexhlisit nuk pipëtinin!
I ngulte shikimin Vin Hoxhës dhe pyeste veten: “Po ky ç’ka qenë, çfarë është, çdo të bëhet virani?” ! Xhafa i dukej si Ali Pashe Tepelena! Termeti si Zenel Gjoleka!

Anila Denaj nga larg i rrezatonte si vikinge sikur e kishte takuar ne Finlande!
Klosi i shfaqej si Tarzani me pasthirrma!
Gaz Bardhi si vetë dreqaga me dy brirë e nga syte nxirrte shkendija!

Sa i mbyll qerpikët, si në ëndërr, i del Mamica me ato petkat arbërore që veshi në Kalabri, duke valluar siç thone asaj ane , shoqëruar nga Kostaqi me daulle, i cili i vikaste te veshi:

“Nikoqiiiiiir Nikoqiiiiir
Parlamenti s’të bën ty mirë
Të rëndon nga shëndetja
Dorë rëndë është Hyqymeja
Të streson ty opozita
Dhe partia të qet në prita
Bam bum, bam bum — kush e dhje-vi këtë punë!”

Tao është në apogje!
Krenaria i është harlisur si hardhi!
Madje i tha Ulsiut: “Shko më sill një kafe të mirë” si shenjë autoriteti!
Ja përsëriti dy herë!
Ai bëri sikur nuk e dëgjoi!
Toni u ngrit me vrap si kamarier lepe-peqe dhe ja solli hazerxhevap!
Tao e rrufiti ngadalë, teksa ai priste gjithë temena me dorën mbi gjoks!
Atë ditë Toni kishte vënë edhe papion si profesionist, madje edhe jelek me sumbulla!

Gjithnjë e më hijerëndë Tao, mendohet gjatë, flet ngadalë me suspancë,si i kalkuluar qamet,
i vendos ato të uruara fjalë si copa mermeri në themel të parlamentarizmes!

Të rinjve u mbështet kokën në gjoks si ai dikur të veten në të Babos kraharor dhe i përkëdhel si kolopuçer, të cilët do të venë mbarë nëse udhëzimet e Taos i ndjekin fill e për pe!

Niko, Tao dhe Toni janë tre buajt që tërheqin qerren e parlamentarizmes!
Sipër në të rri Babua që i cyt me hosten dhe nga pas —
Demokracia shqiptare si silazh!

Top Channel