
Ligjvënësi i opozitës në Zimbabve dhe njëkohësisht poet, Desire Moyo, ka ndërruar jetë pasi automjeti me të cilin po udhëtonte u përplas me një elefant, raportojnë mediat lokale.
Aksidenti tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, teksa Moyo dhe katër deputetë të tjerë po udhëtonin përgjatë autostradës Bulawayo-Gweru, sipas transmetuesit shtetëror ZBC.
Moyo ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa kolegët e tij ligjvënës mbetën të plagosur.
Homazhe të shumta po vijnë për nder të Moyo-s, një poet i njohur dhe i vlerësuar për kontributin e tij në fushën e arteve. Ai ndërroi jetë vetëm një ditë para ditëlindjes së tij të 46-të.
Moyo ishte anëtar i partisë opozitare Koalicioni i Qytetarëve për Ndryshim (CCC), e udhëhequr nga Nelson Chamisa, dhe shërbente në komitetin parlamentar për sport, rekreacion, arte dhe kulturë. Ai përfaqësonte zonën zgjedhore Nkulumane në qytetin e dytë më të madh të Zimbabvesë, Bulawayo.
Zyra e zonës zgjedhore konfirmoi lajmin për vdekjen e tij në një deklaratë, duke shprehur “pikëllim dhe tronditje të thellë”.
Deputeti tjetër i CCC-së, Discent Bajila, dha më shumë detaje mbi aksidentin për faqen lokale të lajmeve ZimLive.com. Ai tregoi se kishte folur me një nga deputetët e plagosur, Madalaboy Ndebele, i cili ndodhej në sediljen e përparme të pasagjerit.
Sipas dëshmisë së Ndebele, automjeti u përplas me një elefant nga pas.
“Pas përplasjes, elefanti u kthye dhe sulmoi automjetin. Kjo besohet se shkaktoi dëmtimet më të rënda në pjesën e sipërme të djathtë të makinës dhe, për fat të keq, çoi në plagët fatale të Moyo-s,” tha Bajila.
Kryetari i Bashkisë së Bulawayos, David Coltart, tha se Moyo do të mbahet mend si një “udhëheqës ikonik dhe krijues”, që dha një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e arteve në qytet dhe në mbarë vendin.
Sipas faqes shtetërore të lajmeve Herald, Moyo ishte një poet, edukator dhe administrator arti i vlerësuar me çmime, i cili ia kushtoi jetën zhvillimit të sektorit krijues në Zimbabve.
Ligjvënësit e tjerë të përfshirë në aksident janë dërguar në spital për trajtim.
Top Channel