
Shqipëria luan “finalen” për vendin e dytë në Grupin K të kualifikueseve të Botërorit, me kuqezinjtë që sfidojnë Serbinë në Leskovc.
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, kujtoi duelin e vitit 2014, teksa u shpreh se emocionet janë të mëdha dhe se ekipi kërkon vetëm fitore, duke eliminuar çdo opsion tjetër.
“Të them të drejtën, emocionalisht është e njëjta gjë. Po e përjetoj këtë ndeshje shumë emocionalisht, sepse është e vështirë dhe e bukur. Mezi pres të jem në fushë nesër.
Masat e sigurisë janë njëjtë me herën e kaluar. Është diçka që e kanë për sigurinë e tyre. Na japin më shumë karikim.
Të them të drejtën është një kënaqësi të arrij rekordin e Lorik Canës. Unë mendoj gjithmonë për ndeshjen dhe Kombëtaren. Besoj që jam vetëm për skuadrën, të tjerat i shohim mbrapa.
Të them të drejtën është e thjeshtë, sepse sa u nisëm nga hoteli në Tiranë dhe erdhëm këtu, të gjithë lojtarët e kanë parë dhe e kanë kuptuar rëndësinë që ka ndeshja e nesërme.
Normal që ndeshja e kaluar, fitorja ishte për ne sepse luajtëm mirë. Këtu do të vijmë me të njëjtën gjë. Ndeshje futbollit është. Mund të kesh raste, t’i shënosh, mund ta fitosh ndeshjen, mund dhe ta humbasësh.
Ne kemi ardhur për fitore, as për barazim, as për humbje. Duhet të jemi të përqendruar. As 100% nuk dalin. Na duhen 120%. Është finale si për ne, si për ata. Duhet ta dimë që dhe për ata është ndeshje e rëndësishme.
Të gjithë e mendojnë si unë. Duhet të vijmë për fitore. Futbolli është shumë i çuditshëm. Gjëja e mirë është që të kemi një mendim, të ecim përpara dhe të marrim fitoren.
E dimë të gjithë që Serbia ka lojtarë të mirë. Kam luajtur dhe në Itali me sulmuesit që ka Serbia. Janë me kualitet. Por dhe ne kemi kualitetet tona. Kemi eksperienca dhe dimë si ta përballojmë sulmuesit e Serbisë”, tha Hysaj.
Top Channel