
Izraeli ka publikuar listën e plotë të 250 të burgosurve palestinezë të sigurisë së lartë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, të cilët do të lirohen sipas një marrëveshjeje për shkëmbim pengjesh dhe armëpushim.
Lista, u publikua sot nga Ministria e Drejtësisë, një ditë pasi kabineti miratoi marrëveshjen, e cila mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe synon të kthejë pengjet e mbetura dhe t’i japë fund përfundimisht luftës në Gaza.
Nga 250 të burgosurit, 15 do të lirohen në Jerusalemin Lindor, 100 në Bregun Perëndimor, ndërsa 135 pritet të deportohen. Disa ndryshime të minutës së fundit u miratuan këtë mëngjes, pasi negociatorët ranë dakord të zëvendësojnë 11 të burgosur të lidhur me Fatahun me një numër të barabartë të burgosurish të lidhur me Hamasin.
Edhe pse Hamasi kërkoi lirimin e figurës së shquar të Fatahut, Marwan Barghouti “Mandela palestinez”, i cili po vuan dënimin me burg për planifikimin e sulmeve vdekjeprurëse terroriste gjatë Intifadës së Dytë, emri i tij nuk është përfshirë në listën e publikuar.
Udhëheqësi i Frontit Popullor, Ahmad Saadat, si dhe figurat e larta të Hamasit, Ibrahim Hamed dhe Hassan Salameh, gjithashtu nuk përfshihen midis të burgosurve që do të lirohen, pavarësisht presionit që thuhet se është ushtruar nga negociatorët e Hamasit.
Përveç të paraburgosurve të sigurisë, do të lirohen edhe 1,700 palestinezë nga Gaza që u arrestuan pas ofensivës së 7 tetorit që solli luftën, por që nuk morën pjesë në të.
Këta të burgosur do të kthehen në Rripin e Gazës ose do të dëbohen jashtë vendit. Lirimi i të burgosurve pritet të ndodhë vetëm pas 72 orësh, gjatë të cilave të gjithë pengjet, të vdekur ose të gjallë, duhet të lirohen.
Ndër emrat e njohur në listë është ai i Iyad Abu al-Rub, komandant i Xhihadit Islamik Palestinez në zonën e Jeninit të Bregut Perëndimor. Al-Rub besohet të jetë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e një serie sulmesh terroriste, përfshirë një sulm kamikaz në Sadmot Meholah në qershor 2003, një në Tel Aviv në shkurt 2004 dhe një në Hadera në vitin 2005. Në total, 13 persona u vranë në tre sulmet.
Të burgosurit që do të lirohen përfshijnë Mohammed Zakarneh, një anëtar i Fatahut i cili planifikoi sulmin e vitit 2009 që vrau një shofer taksie, si dhe Mohammed Abu al-Rub, i cili kreu një sulm me thikë në vitin 2017 që vrau Reuven Smerling.
Përveç kësaj, do të lirohet edhe Mahmoud Kawasmeh, një zyrtar i lartë i Hamasit i cili u lirua si pjesë e marrëveshjes së Gilad Shalit, u deportua në Gaza dhe u arrestua përsëri gjatë luftës në vitin 2024.
Top Channel